ALBtelecom dhuron çmime për fituesit e “Young Programmers Space”

Nxënës të 11 gjimnazeve të Tiranës morën pjesë për të tretin vit radhazi në konkursin për kodimin, organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.

"Young Programmers Space" konsiston në konkurrimin në një platformë të aksesueshme online ku ofrohet shkrimi i programeve në gjuhë të ndryshme të programimit. Platforma mundësoi kontrollin e programeve në kohë reale.

Drejtuesit e Fakultetit të Shkencave kërkojnë përmes kësaj nisme të përvitshme të ofrojnë një mundësi për nxënësit e shkollave të mesme të testojnë aftësitë e tyre në gjuhë të ndryshme të programimit dhe të kontribuojnë në zbulimin dhe orientimin e talenteve në këtë fushë.

Për të dytin vit, ALBtelecom mbështeti fituesit me çmime dhe surpriza.  Çmimin e parë të këtij konkursi e fitoi Marin Maksutaj, nxënës i  shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, i cili fitoi një laptop. Për çmimin e dytë fituar nga Klaus Mana nga shkolla “Petro Nini Luarasi” dhe 3 nxënësit që fituan çmimin e tretë përkatësisht Marko Maksuti nga shkolla “ Babë Dudë Karbunara”, Klajdi Shehaj, nxënës i shkollës “Andon Z. Çajupi” dhe Damian Paluca nga shkolla “Ismail Qemali”,  kjo kompani ofroi një vit internet falas për në shtëpitë e tyre.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Drejtuesi i Departamentin të Informatikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Prof. Endri Xhina vlerësoi këtë platformë konkurrimi si një mundësi për gjimnazistët për të kuptuar dhe njohur më mirë fushën e studimit që do të ndjekin pas përfundimit të shkollës së mesme.

Profesorë të Fakultetit të Shkencave bien dakort që programimi tashmë duhet të jetë pjesë e kurrikulave që në shkollën e mesme, si pasojë e zhvillimeve ndërkombëtare në këtë fushë dhe kërkesave të mëdha të tregut për programues.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Spiro Drushku falënderoi të gjithë pedagogët e departamentit të Informatikës për punën dhe përkushtimin për vënien në funksion të kësaj platforme,  nxënësit e shkollave të mesme që morën pjesë dhe mësuesit e tyre që shërbejnë si urë lidhë se mes shkollës së mesme dhe fakultetit.

Gjatë përgatitjeve për të qenë pjesë e platformës "Young Programmers Space", nxënësit patën mundësi për të qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me universitetin dhe kuptojnë më mirë degët që mund të ndjekin në të ardhmen.

Drejtoresha e Çështjeve të Korporatës, znj. Jonilda Filipi pasi përgëzoi organizatorët për nismën,  shpjegoi se ALBtelecom synon mbështetjen e vazhdueshme dhe fuqizimin e pandërprerë të talenteve në fushën e IT-së dhe i ftoi të rinjtë të aplikojnë në sezonin e ardhshëm të Supergeneration.al, platformës së ALBtelecom dedikuar ideve më inovatore të sipërmarrjes dhe biznesit.

ALBtelecom vazhdon të promovojë dhe mbështesë zhvillimin e mëtejshëm të talenteve të reja, ideve të reja të biznesit në fushën e teknologjisë dhe më gjerë, në funksion të rritjes së kapaciteteve, talenteve dhe inovacionit në vendin tonë.

Shtuar më 06/06/2019, ora 17:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori