Akademia e Biznesit ALBtelecom dhe Eagle Mobile diplomon brezin e parë të profesionistëve
Kompania më e madhe e telekomunikacionit në Shqipëri, ALBtelecom dhe Eagle Mobile, hedh një hap të rëndësishëm edhe ne fushën e trajnimit dhe përgatitjes së vazhdueshme të profesionistëve.

38 punonjës profesionistë nga kompani të ndryshme dhe institucione publike janë diplomuar nga Akademia e Biznesit të ALBtelecom dhe Eagle Mobile, e cila një vit më parë është licencuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit në kuadër të politikave të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për arsimin profesional.

Në ambientet e Akademisë së Trajnimit në ALBtelecom dhe Eagle u zhvillua Ceremonia e Diplomimit të këtyre punonjësve profesionistë, ku kanë qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm Dr. Erkan Tabak, Kryetari i Bordit të ALBtelecom z. Giuseppe Farina, akademikë dhe drejtues të kësaj kompanie.

Dr. Tabak nënvizoi rëndësinë dhe urgjencën e investimit akademik në Burimet Njerëzore. Sipas tij, ky projekt ndikon në jetën akademike dhe në të ardhmen profesionale të të gjithëve. Ndërkohë Kryetari i Bordit të ALBtelecom z. Giuseppe Farina theksoi se ALBtelecom është kompania që ka bërë histori dhe nisma të tilla ndihmojnë për ta përjetësuar më tej këtë histori.

Ky program është projektuar si një mjet për të zhvilluar më tej aftësitë menaxhuese dhe të lidership-it te punonjësit, duke i përgatitur ata si liderë të së ardhmes.

Procesi mësimor është ndërtuar duke kombinuar teorinë me praktikën, diskutimet mes studentëve me debatet konstruktive. Në përfundim të tij u përgatitën disa projekte dhe analiza studimore nga të gjithë studentët, të cilët patën mundësinë të shfaqnin aftësitë e tyre të perfeksionuara gjatë procesit mësimor si dhe talentet e tyre duke sjellë ide dhe projekte me vlerë, të cilat do të jenë subjekt implementimi në të ardhmen.

Kjo sinergji e natyrshme dhe e shëndetshme mes studentëve dhe profesorëve me përvojë i ka dhënë një vlerë të madhe kësaj akademie. Akademia e Biznesit ALBtelecom dhe Eagle Mobile ka krijuar një urë lidhëse me institucionet publike në shkëmbimin e përvojave, duke kontribuar në zhvillimin profesional të burimeve njerëzore. /albeu.com/
Shtuar më 10/07/2015, ora 15:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori