Përdhosja e identitetit shqiptar!
Pëlqej
Albeu.com


Të lodhur nga gjendja e jonë shpirtërore, të qenurit të pambrojtur, të dërrmuar nga situatat e krijuara nga vet ne, inferiorë ndaj atyre që vet i pozicionuam për të na udhëhequr, pa fije turpi, mëshire e durimi, e të mallkuar nga rrota e historisë. Ky është përshkrimi më real që mund t'u bëhet shqiptarëve, duke parë zhvillimet tona politike, ekonomike e sociale. Është e frikshme të mendojmë solidaritetin, barazinë e tolerancën, duke e ditur që neve na duken si absurde dhe të paarritshme!

Është për të na ardhur keq fakti që nocionin e demokracisë e kemi ngatërruar me atë të 'lirisë së shfrenuar', të drejtën e shprehjës e kemi ngatërruar me atë 'fol sa të duash dhe çfarë të duash', 'shaj dhe ofendo', të drejtën e lëvizjes e kemi ngatërruar me atë 'shko ku të duash dhe bëj çka ta do qejfi', 'futu dhe në shtëpi të huaja, vjedh e përdhuno'! E derisa vet dëshirojmë t’a bëjmë shtetin tonë, jemi përseri vet ata që sillemi si në anarki e nuk e respektojmë ligjin! Por kështu nuk bëhet shteti!

Shkelin Kushtetutën që vet e bënë dhe e votuan, prishin imazhin që me shekuj e ndërtuam dhe u munduam t'a mbajmë, ç'rrënjosën rezistencën e shqiptareve dhe po ju përulen sllavëve, rrahën ndërmjet vete dhe sllavi u hyn në mes për t'i ndarë! Akuzojnë njëri tjetrin, shajnë e ofendojnë deri në atë pikë sa që përdhosin moralin tonë, prekin e ndërhyjnë edhe në familje, nëna e motra. Kjo të ngrin gjakun, sa që shumë herë të vjen turp të prezantohesh si shqiptar.

E kënaqem duke mbrojtur vendin tonë dhe na ka mbetur vetëm Iraku a Siria që t’i dalim zot! Shqiptari si shqiptar, qoftë duke i’u përmbajtur kanunit, ashtu edhe librave të shenjtë fetarë, nuk vran të pafajshmit e civilët, nuk gjuan pas shpine dhe nuk bën luftë të padrejtë. Aq më pak të pres koka fëmijësh a civilësh, aq më pak të mbushet dinamit e të hyjë në mes të të pafajshmëve e të bëj terror. Nëse shqiptarët janë muslimanë, nuk do të thotë që na sjellin kulturat e traditat arabe në mesin tonë!
Kemi shumë fakte që na tregojnë se si shqiptarët muslimanë a të krishterë venin Shqipërinë para fesë, shqiptarin para turkut a romakut! Sa mirë thoshte Bajroni për shqiptarët dhe tolerancën e tyre ndërfetare, por fatkeqësisht kjo po zbehët dalëngadalë dhe po na fut urrejtje ndër vete.

Sikurse në luftë, që të gjithë u bënë bashkë, pa shikuar ineteresa tjera, pos kombit e atdheut, njejtë duhet të bëhemi edhe tash, duke lënë anash inatet, duke kultivuar vlerat tona që i kishim dikur, duke mos i lënë ëndrrat tona të pluhurosën dhe duke na bashkuar ideali i vetëm për atdhe, për bërjen e tij dhe për t’u futur në konkurrencë me vendet tjera. Nëse me të vërtetë e duam atdheun dhe vendin tonë ashtu siç shprehemi, pse nuk e pasqyrojmë në vepra, duke ndihmuar secili në lëminë e vet?!
A duhet të aktivizohemi si popull, apo të presim që Zoti të na ndihmojë?!

Nëse ne nuk i ndihmojmë vetës, ose nëse as mundimin më të vogel nuk e marrim, vështirë që të ketë ndryshime pozitive. Mos të harrojmë që ndryshimi fillon nga ne, andaj të fillojmë qysh sot, t’i përvishemi punës, e ta bëjmë më të mirën për atdheun tonë të lavdishëm!
Shtuar më 01/09/2014, ora 16:01
Tage:
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori