“Dyshojmë se i ka ndodhur diçka e keqe”, zbulohet DËSHMIA e xhaxhait të Vis Martinajt në polici

Është zbardhur nga gazetarja Klodiana Lala kallëzimi i familjarëve të Ervis Martinajt, i cili është bërë nga xhaxhai i tij, Faik Martinaj.

Një denoncim unik për një të shumëkërkuar të policisë, i cili u ka shpëtuar disa operacioneve të policisë për kapjen e tij.

Në dëshminë e dhënë në polici, xhaxhai i Martinajt është shprehur se ata dyshojnë se diçka e keqe mund të ndodhur Ervisit nga grupe kriminale që kërkojnë ta eliminojnë.

Në lidhje me nipin tim, djalin e vëllait Ervis Martinaj, i cili është shpallur ne kërkim nga Prokuroria e posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, dje (të martën) rreth orës 22:00, jemi njoftuar nga një i afërmi jonë, që për arsye sigurie nuk dua të përmend emrin, i cili nuk ndodhet në Shqipëri, por është nga Puka, se Ervisi është zhdukur dhe nuk kishte kontakte me të.

Dua të theksoj se që prej kohës që nipi Ervisi është shpallur në kërkim nuk kam pasur asnjë kontakt me të drejtpërdrejt apo ne telefon, por vetëm nëpërmjet personave të afërm. Ne si familje kemi dyshime se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale që kërkojnë ta eliminojnë. Ne kemi pritur deri ditën e sotme që mos kemi ndonjë kontakt me nipin Ervisin, por nuk kemi arritur të kontaktojmë dhe nuk kemi asnjë lloj informacioni për vendndodhjen edhe gjendjen e tij.

Sot në drekë (e mërkurë) rreth orës 12:00, të shqetësuar lidhur me gjendjen e nipit Ervisit, kam njoftuar punonjësin e policisë së komisariatit Kurbin P. T. për sa thashë me sipër”, thuhet në kallëzimin e xhaxhait të Ervis Martinaj./albeu.com