Ambasada e SHBA në Bosnjë Hercegovinë paralajmëron Milorad Dodik: Nuk do qëndrojmë duarkryq nëse nxit konflikt në vend

Ambasada amerikane në Sarajevë ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik për shkëputje nga Bosnja dhe Hercegovina.

Në reagim thuhet se këto deklarata të Dodik janë kundër Marrëveshjes së Daytonit, dhe si të tilla, të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.

“Retorika separatiste e Milorad Dodik dhe kërcënimet për t’u shkëputur nga Bosnja dhe Hercegovina janë anti-Dayton, të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe të dëmshme për integrimin e BiH në institucionet euro-atlantike”, thuhet në reagim.

Tutje ambasada amerikane thotë se sipas kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës nuk ka të drejtë një entitet apo ndonjë njësi tjetër nënshtetërore të shkëputet

“Shtetet e Bashkuara nuk do të qëndrojnë duarkryq nëse Milorad Dodik bënë veprime për të ndezur një tjetër konflikt në Bosnje-Hercegovinë. Shtetet e Bashkuara, ashtu siç kanë bërë për gati 30 vjet, do të veprojnë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetin dhe karakterit multi-etnik të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në reagimin e ambasadës, raporton Gazeta Express.

“Retorika dhe kërcënimet e Milorad Dodik janë një përpjekje për të shpërqendruar nga problemet reale me të cilat përballen banorët e Republika Srpska: fushata e vazhdueshme e qeverisë për të hequr liritë themelore; dështimi për të adresuar rritjen e çmimeve për ushqim, strehim dhe transport; dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mbështetur të ardhmen e Republika Srpska përmes huamarrjes së papërgjegjshme të qeverisë”, thuhet në vazhdim.

Gjithashtu, ambasada i është referuar edhe kërcënimit të Dodik për të shkëputur marrëdhëniet e bashkëpunimit me NATO-n.

“Sa i përket kërcënimit të Milorad Dodikut se do të ndërpresë bashkëpunimin me NATO-n, do t’i kujtojmë se Ligji për Mbrojtjen e vitit 2005 i detyron autoritetet e nivelit shtetëror të kryejnë aktivitetet e nevojshme për anëtarësimin e Bosnjë-Hercegovinës në NATO. Kjo përfshin mbështetjen e një partneriteti dhe bashkëpunimi të fortë me NATO-n. Milorad Dodik nuk ka autoritet për të pezulluar ose ndryshuar në mënyrë të njëanshme këtë apo ndonjë ligj tjetër”, thuhet në fund.