A do të arrestohet Ahmetaj? Tabaku i bën thirrje: Bashkëpuno me drejtësinë

Deputetja, Jorida Tabaku, i bëri sot thirrje Arben Ahmetajt të bashkëpunojë me drejtësinë  që t’i shkohet deri në fund aferës së inceneratorëve.

Kujtojmë se sot pasdite do të mbahet Mbledhja e Mandateve, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënie autorizimi nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal të banesës së deputetit Arben Ahmetaj.

Deputetja demokrate u shpreh sot se dosja e SPAK për Arben Ahmetajn, faktoi çdo akuzë të ngritur nga Komisioni Hetimor Parlamentar për aferën 430 milion euro të inceneratorëve, që drejtoi vitin e kaluar.

Më tej ajo tha se ndërkohë që Ahmetaj po shkon drejt burgut, shqiptarët ende po paguajnë për inceneratorët.

“Ndërsa flasim inceneratori i Fierit ka kërkuar rritjen e kostos së pastrimit nga bashkia Fier, inceneratori i Tiranës derdh në lumin Erzen mbetjen toksike të Liksiviatës duke dëmtuar shumë mjedisin dhe natyrën por edhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Pyetja që çdokush bën sot është; si ka mundësi që me gjithë këto arrestime, akuza dhe fakte ende sot shqiptarët paguajnë me paratë e tyre tre instalacionet e korrupsionit në Shqipëri? Prandaj përtej përgëzimeve të mia ndaj SPAK për guximin për të hetuar dhe dërguar përpara bankës së të akuzuarve një zv kryeministër, mbetet dhe një tjetër kujtesë. Dosja e inceneratorëve është në të vërtetë një dosje e plotë dhe e vetme”, tha Tabaku./albeu.com/


Shtuar 11.07.2023 10:12