U ekzeketuan në lokal, Hoxha bën deklaratën e fortë: Kush qëndron pas vrasjes së dy biznesmenëve

Gazetari Artan Hoxha publikoi videon e plotë të operacionit të vrasjes së dy bisnesmenëve dy vite më parë në Laç, njëri prej të cilëve ishte krahu i djathtë i Ervis Martinajt. Bëhet fjalë për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.

Sipas Hoxhës, personat që kanë shkuar për vrasjen e tyre ishin të mirëpaguar dhe ata që qendronin pas porosisë janë mjaft të fuqishëm.

Duke folur në ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, Hoxha tha se është ende mister se si policia deri më tani ka identifikuar katër persona që bënin pjesë në skuadrën e vrasësve, krahas dy mjekëve të arrestuar dhe nuk ka gjetur për shembull se kush financoi vrasjen e dy biznesmenëve.

“Bëhet fjalë për një skuadër të mirëfilltë vrasësish me pagesë, shumë të organizuar. Pasi u plagos Eduart Lamaj ai u soll në spital privat dhe i gjetën mjekë të mirë. Po ashtu, këta që po rrinë në burg tani, po mbahen në kushte shumë të mirë dhe kanë një mbështetje ligjore nga avokatë të mirëpaguar. Pyetja që prokuroria dhe policia nuk zbardhën është: Ore kush paguan për këta?!”, tha Hoxha duke hedhur dyshime të forta se pas fshihet një dorë shumë e fortë, me pasuri dhe lidhje.

Për të mbështetur mendimin e tij, Hoxha përmendi edhe faktin se natën e vrasjes së Likës dhe Gjergjit u përfshi në ngjarje edhe një person tjetër duke u plagosur me qëllim ndryshimin e drejtimit të hetimeve.

“Ky person i plagosur nuk kishte lidhje me ngjarjen , por mbeti i plagosur për të ndryshuar rrjedhën e hetimeve. Po ashtu, iu vu tritoli një hoteli në Tiranë për të shpërqendruar vëmendjen”, vijoi Hoxha./abcnews.al