Bora dhe moti i keq “pushton” Mbretërinë e Bashkuar, pezullohen të gjitha fluturimet

Të gjitha fluturimet janë pezulluar në aeroportin Stansted në Mbretëri të Bashkuar pasi u detyrua të mbyllte pistën e tij për shkak të motit të ligë.

Heathrow dhe Gatwick gjithashtu anuluan ose vonuan fluturimet pasi bora, akulli dhe mjegulla e ngrirë përfshinë Mbretërinë e Bashkuar.

Një paralajmërim për mot të ngjashëm mbetet për Skocinë, Londrën dhe Anglinë jugperëndimore deri të hënën në mëngjes, shkruan BBC.

Trenat gjithashtu janë vonuar dhe drejtuesit e mjeteve janë paralajmëruar të kenë kujdes pas disa aksidenteve në autostradë, përcjell KosovaPress.

Stansted tha të dielën në mbrëmje se pista e saj e vetme ishte e mbyllur për të lejuar pastrimin e borës për shkak të kushteve të motit dhe të gjitha fluturimet u pezulluan.

“Vonesat në fluturime u përjetuan më herët për shkak të ngrirjes së akullit të avionit, që është përgjegjësi e menaxherit tokësor dhe siguria e avionëve dhe pasagjerëve është parësore”, shtoi një zëdhënës.

“Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë me kompaninë e tyre ajrore për statusin aktual të fluturimeve të tyre.”