Gjyqet farsë të Moskës:Stalinizëm apo preludi i luftës civile?

Nga Anna Akage “World Crunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Java që po mbyllet ka qenë shumë e ngarkuar për Gjykatën e Moskës por edhe për parlamentin rus. Një gjykatës federal dënoi të hënën politikanin rus të opozitës Vladimir Kara-Murza me 25 vite burgim për tradhti.

Të nesërmen, në të njëjtën sallë gjyqi, një gjyqtar tjetër hodhi poshtë apelin e gazetarit të “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, i cili u arrestua muajin e kaluar me akuzën për spiunazh dhe tani përballet me 20 vjet burg.

Ndërkohë të martën, parlamenti rus, Duma, miratoi një amendament që e bën tradhtinë në Rusi të dënueshme me burgim të përjetshëm. Analistët e Kremlinit kanë nxjerrë në pah lidhjet e dukshme midis këtyre vendimeve gjyqësore dhe legjislative – që me të drejtë i kanë etiketuar si “staliniste” – duke vënë në dukje se tashmë Putini ka kaluar qartësisht nga autoritarizmi në totalitarizëm.

Gjithsesi, vendimet e kësaj jave mund të zbulojnë në fakt një realitet shumë të ndryshëm që vlon nën sipërfaqe. Putini nuk mund të krahasohet me Josif Stalinin që sundoi i pakundërshtueshëm deri në vdekjen e tij për shkaqe natyrore në vitin 1953.

Por dinamikat e nxitin atë të bëjë diçka shumë ndryshe sesa një regjim totalitar që po forcohet. Rusia i ngjan sot një vendi që gjithnjë e më shumë përgatitet për një luftë civile. Për të vijuar logjikën, ia vlen të kthehemi për një moment disa muaj më parë, kur ekspertët e pavarur thanë se Putini ishte i fokusuar në ruajtjen e mbështetjes popullore përpara zgjedhjeve të 2024-ës, dhe se ai do të bënte gjithçka për të shmangur çështje gjyqësore të profilit të lartë dhe një mobilizim të përgjithshëm.

Megjithatë, situata në front dhe mungesa e mbështetjes së qartë nga Kina, e ka detyruar Kremlinin të lërë mënjanë llogaritë e tilla dhe të vërë gjithçka bast për fitoren. Vladimir Pastukhov, politolog dhe bashkëpunëtor i pavarur me Kolegjin Universitar të Londrës, foli të hënën për “Novaya Gazeta Europe” mbi rritjen e represionit si pjesë e izolimit të shoqërisë ruse, që tani po përhapet frikshëm për shkak të luftës në Ukrainë.

Urrejtja ndaj Perëndimit, lufta kundër “nazizmit”, fitorja mbi Ukrainën, argumenton ai, janë të gjitha konstruksione të rreme që përmbushin një rol të rëndësishëm: ta bashkojnë shoqërinë ruse rreth udhëheqësit. Kur të përfundojë lufta në Ukrainë, të gjitha problemet që janë grumbulluar për dekada do të shpërthejnë me dhunë dhe pakënaqësi masive brenda vetë vendit.

Në këto kushte, e vetmja rrugëdalje do të jetë një luftë civile. Një fitore e shpejtë në Ukrainë mund të zbutë zemërimin e popullatës. “Përfundimi i luftës do të jetë edhe më i frikshëm sesa fillimi i saj. Pavarësisht kokave dhe organe gjenitale të prera, kokave të shtypura me varje, (Pastukhov flet për videot e ekzekutimeve të të burgosurve ukrainas të luftës), ne shohim vetëm një pjesë të vogël të asaj që po ndodh atje. Por në fund gjithçka do të zbulohet. Njerëzit e kuptojnë instinktivisht këtë dhe duan në mënyrë të pandërgjegjshme fitoren në Ukrainë. Jo për shkak të ndjenjave patriotike, por nga frika e ndëshkimit. I gjithë kombi rus ka gjak në duart e tij”- theksoi ai.

Sipas Pastukhov, ngjarjet në front dhe brenda Rusisë janë të ndërlidhura më njëra-tjetrën. Nëse nuk ka një fitore në këtë luftë, çdo lloj kundërshtimi duhet të shtypet me forcë. Nëse fitorja mbi Ukrainën do të kishte qenë e shpejtë dhe e lehtë (siç Putini i bëri që të besonin rusët), pak njerëz do të kishin dënuar veprimet dhe agresionin e Kremlinit kundër një shteti sovran.

Agresioni i jashtëm supozohej të çlironte disi tensionin që është krijuar në shoqërinë ruse. Një fitore e shpejtë mund të qetësonte zemërimin e klasës në rritje dhe pabarazitë etnike në të gjithë federatën ruse. Kjo është në të vërtetë ajo që ndodhi me aneksimin e Krimesë, pas së cilës u rrit vlerësimi i Putinit në sondazhe.

Imazhet që shohim më shpesh nga jeta në Moskë dhe Shën Petersburg, ku kushtet e jetesës janë pak a shumë të ngjashme me ato në Evropë, fshehin një realitet të hidhur. Jashtë këtyre dy qyteteve është një vend i madh me miliona njerëz që jetojnë shpeshherë në mjerim, pa arsimimin e duhur, pa kujdes mjekësor, ndonjëherë edhe pa energji elektrike ose gaz, dhe sigurisht pa shanse për një jetë më të mirë.

Është një sistem sa i korruptuar aq edhe i varfër. Edhe para luftës, blogeri i famshëm rus Ilya Varlamov realizoi një seri videosh mbresëlënëse për Rusinë “e vërtetë”, pasi kishte udhëtuar në rajone të largëta të vendit për të treguar realitetin brutal të jetës atje.

Tani po vlon lufta civile. Përveç konfliktit ekonomik midis rajoneve, ka përplasje të mëdha të pazgjidhura të fesë dhe moralit, për të cilat shteti ka nisur një gjueti shtrigash për të ndëshkuar çdo lloj mospajtim apo kërcënimi ndaj të ashtuquajturave “vlera tradicionale”.

Kjo përfshin goditjen ndaj personave LGBTQ, organizatave të të drejtave të njeriut dhe mjedisit, mediave të pavarura dhe çdo sindikate civile në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të rusëve.

“Tashmë po zhvillohet një luftë civile në çdo lloj kuptimi që ka kjo fjalë. Kjo shihet tek urrejtja e madhe për njëri-tjetrin, tek paqëndrueshmëria e jetës në Rusi. Tani për tani kjo

luftë civile po vlon nën sipërfaqe dhe nuk është ende e dukshme sepse ka një vend për të shtresëzuar urrejtjen”- thotë Pastukhov.

Natyrisht, gjetja e një armiku të jashtëm apo fillimi i një lufte me një fqinj, nuk është një mënyrë e re për t’u përballur me problemet e brendshme. Shumë sundimtarë përpara Putinit e kanë zbatuar këtë metodë.

Dhe shpeshherë gjërat kanë përfunduar në të njëjtën mënyrë: lufta e gjen rrugën e saj përsëri tek ai që e filloi në formën e funeralit, veteranëve të plagosur, kriminelëve, fajit, problemeve ekonomike dhe pakënaqësisë së madhe brenda shoqërisë. /albeu.com


Shtuar 21.04.2023 15:27