Tragjedia e Elsa Lila, si ndodhi vrasja e nënës së saj në ’97 që e vuajti gjithë jetën

Elsa Lila u arrestua ditën e djeshmee nga policia italiane pasi ishte pjesë e një grupi trafikimi droge. Këngëtarja shqiptare është arrestuar me 12 të tjerë, të cilët operonin në zonën e Acilias në Romë.

Por, përtje skenës dhe sukseseve që arriti si artiste, Elsa Lila ka patur një jetë jo të lehtë. Ajo vetë është një nënë beqare e një vajze, por fëmijëria e vetë Elsës u trondit kur ajo humbi nënën e saj, violinisten Eva Vishaj në vitin 1997, viti i trazirave të mëdha. E ëma e Elsa Lilës u qëllua me plumb në kokë.

Si autor i dyshuar i kësaj vrasjeje u akuzua Albenc Ago. Eva Vishaj punonte si kameriere në lokalin “Juna”, që ndodhej në cep të parkut Rinia dhe në afëri të godinës kur dikur ndodhej Ministria e Mbrojtjes.

Eva Vishaj ishte e divorcuar dhe jetonte me fëmijët në një apartament me qira në afërsi të rrugës “Bardhyl”. Familjarët saj mësohet se kishin njohje me pronarët e lokalit duke i mundësuar edhe Evës punësimin në këtë biznes. Ndërsa motivi i vrasjes së saj nuk u zbulua asnjëherë plotësisht. Kjo vrasje shënjoi edhe vetë jetën e Elsa Lilës e cila pas triumfit në festivalin e RTSH-së, u largua drejt Italisë për të vijuar jetën dhe karrierën drejt Italisë, ku kulmin e saj e arriti me pjesëmarrjen në Sanremo.

Si ndodhi vrasja

Historia e vrasjes së Eva Vishajt, zë fill më 23 maj 1997, kur ajo u gjet e pajetë, e qëlluar me një plumb në kokë pranë kilometrit të 29-të, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. Hetimet për këtë ngjarje u rihapën vite më vonë dhe, në vitin 2004, Prokuroria akuzoi Albenc Agon si autor të vrasjes.

Ai u gjykua në mungesë dhe më 1 dhjetor 2005, një treshe gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni e deklaruan të fajshëm për akuzën e “vrasjes me dashje” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”. Në bashkim të dënimeve, Ago u dënua me 20 vjet burg.

Në këtë vendim, Gjykata e kryeqytetit arsyetonte: “Persona që njiheshin me të, po atë ditë e kanë parë viktimën Eva Vishaj në makinë tip ‘Mitsubishi’, ngjyrë qielli, që po udhëtonte në drejtim të Rrugës së Elbasanit pikërisht tek Liceu Artistik, makinë që po drejtohej nga ana e të pandehurit Albenc Ago dhe që midis të dyve rezultonte se kishte marrëdhënie të acaruara, fakt që është vënë re nga ana e këtyre dëshmitarëve”.

Pas këtij vendimi, Ago u arrestua në Itali dhe u ekstradua në Shqipëri. Në maj 2008, Gjykata e Tiranës pranoi rivendosjen në afat të dosjes.

Pas një rishqyrtimi të pjesshëm, më 17 dhjetor 2008, Apeli la në fuqi vendimin me 20 vjet burg. Rekursi i këtij vendimi nga ana e Agos nuk u pranua nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Më pas, Ago iu drejtua Kushtetueses, e cila në nëntor 2012 e ktheu dosjen për rishqyrtim në Apel.