Integrimi në BE, Meta: Po punohet me qeverinë e re bullgare, padrejtësi mos heqja e vizave për Kosovën

Presidenti Ilir Meta në një intervistë për televizionin shtetëror të Malit të Zi, RTCG ka folur për integrimin e Shqipërisë në BE.

Meta tha se po punohet me qeverinë e re bullgare që të kalohen problemet deri në qershor në mënyrë që të hapet rrug për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Po ashtu ai ka folur edhe për mos haqjen e vizave për Kosvën ku e cilësoi si një padrejtësi dhe diskrimimin.

“Duhet të bënim një progres më të shpejtë të procesit të integrimit europian. Urojmë që brenda këtyre gjashtë muajve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të çelen negociatat! Po punojmë që të tejkalohet edhe pengesa e marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shpresojmë shumë se do të kapërcehet kjo pengesë! Unë besoj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë asnjë çështje, përveç një pengese në marrëdhëniet bilaterale që ata po punojnë me qeverinë e re në Bullgari, dhe që unë shpresoj se do të kapërcehet deri në qershor!”, tha Meta.

Kreu i shtetit theksoi se mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një padrejtësi dhe diskriminim.

“Njëkohësisht dëshirojmë dhe kërkojmë me forcë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi kjo është një padrejtësi dhe diskriminim!  Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe natyrisht urojmë që të gjithë të përparojnë në këtë proces! Ka disa çështje kyçe sikurse është dialogu Serbi-Kosovë, dhe dëshirojmë që sa më shpejt të ketë një përmbyllje të këtij dialogu, të suksesshme, me njohje reciproke nga të dyja vendet! Së dyti, dialogu Kosovë-Serbi do të varet shumë, mendoj unë, prej vullnetit të Serbisë për të treguar përkushtim të sinqertë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, sepse nuk është çështja vetëm për të përfituar fonde nga Bashkimi Europian, por edhe për të demonstruar vlera europiane, jo vetëm brenda vendit, por edhe në marrëdhënie me fqinjët”, u shpreh presidenti. /albeu.com

 


Shtuar 6.02.2022 20:26