Tirana dy ditë pa pikën e ujit, qytetatët të revoltuar: Kush mi paguan mua bidonat?

Sot dhe nesër qytetarët e Tiranës do të jenë pa ujë. Kjo për shkak të punimeve në impiantin e Bovillës.

Sipas bashkisë do të nisin punimet për lidhjen e linjës së transmetimit të Ujëmbledhësit të Bovillës me Impiantin e trajtimit të ujit në Bovillë dhe kjo do shkaktojë ndërprerjen e ujit.

Bashkia njoftoi se janë marrë masat për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, gjatë fundjavës, për institucione të rëndësisë së veçantë.

Ndërsa për qytetarët nuk ka asnjë ndihmë nga bashkia. Duke e ndjerë veten si zakonisht të braktisur, ata janë dyndur të blejnë ujë me koli në përmasa nga më të ndryshmet. “Që ne përditë pa ujë për orë të tëra jemi, kjo dihet dhe ka 30 vjet. Por të rrish plot dy ditë pa pikën e ujit siç ka lajmëruar bashkia, kjo është e vështirë.

Ja më shihni, po bëj rrugën e dytë duke blerë ujë, bidona 6 litërsh e shishe 2 litroshe. Se na duhet ujë dhe për të larë dhe për të pirë”, thotë një grua 57 vjeçare në bulevardin Zogu I teksa mezi mban bidonët me ujë për ti ngjitue në apartamentin e saj.

“Unë ujin e blej me lekë dhe kështu bëjnë të gjithë me ç’kam pyetur. Më shkon 6 a 7 mijë lekë të vjetra çdo javë dhe vetëm për të pirë dhe për ti larë frutat fëmijëve.

Tani duhet të blej dhe ca bidonë më shumë, qoftë dhe për nevojat personale. E kush mi paguan këto? Se fatura e ujit në fund të muajit njësoj do më vijë, s’do ma ukë kjo bashki se nuk do tia dijë për hallin tonë”, thotë një tjetër qytetar i Tiranës.

Sakaq bashkia as që mendon një rimbursim të banorëve për ndërprerjen e ujit dy ditë. E sigurisht edhe fatura e muajit do të jetë e njëjtë bashkë me taksat që e shoqërojnë çdo muaj.


Shtuar 6.06.2020 06:15