VENDIMET/ Peleshi: Kredi 30 mln euro për mbrojtjen e sistemit civil, do marrim dhe 2 mjete ajrore

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një prononcim për mediat pas mbledhjes së qeverisë tha se sot u miratua një marrëveshje mes Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile.

“Sot u miratua një projekt vendim, një marrëveshje ndërmjet republikës së Italisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile. Për pak javë  gjatë vitit të ardhshëm do të ratifikohet në parlament”, tha Peleshi.

Sa do të kushtojnë mjetet ajrore dhe a kemi në gjendje ne mjete ajrore?

“Nuk mund të them shifra për momentin, sepse nuk i kam, por kam informacion që brenda kësaj kredie mund të marrin dy mjete ajrore. Një gjë tjetër që duhet, është mirëmbajtja. Dhe kjo është shumë e kushtueshme, një tjëtër gjë është edhe kushtet e kontratës, sepse edhe nuk shkojnë gjërat siç duhet. Ju e dini siç ka shkuar me helikopterin në Itali. Po bën dy vite dhe ne jemi gati që të shkëpusim kontratën. Ne kemi mbrojtje ajrore në gadishmëri, një helikopter Kuger si dhe një helikopter për emergjencat,” u përgjigj ministri.

Peleshi u pyet edhe lidhur akuzat e medias malazeze se kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç kanë thyer embargon e SHBA dhe BE, duke lejuar tregtinë e grurit dhe të plehrave kimikë mes Serbisë dhe Rusisë, përmes Portit të Durrësit.

Peleshi u shpreh se nuk ka asnjë informacion për një lajm të tillë duke shtuar se nuk është i bindur nëse një lajm i tillë është i vërtetë.

“Nuk e kam këtë informacion, nuk jam njohur me këtë lajm. Nuk e di se sa e vërtetë është. Mund të ketë lloj-lloj portalesh që shkruajnë por këtë informacion nuk e kam”, tha Peleshi.