Shqipëria do të presë refugjatët e kapur në Angli dhe Francë? Reagon Kryeministria e zbulon si është e vërteta

“The Sun” shkruajti sot se Shqipëria do të ndërtojë një kamp për të pritur refugjatët ilegalë e kapur në Angli dhe Francë.

Fuga e konsideron lajmin të pavërtetë dhe thotë se Shqipëria nuk ka asnjë lloj detyrimi ndaj vendeve të tjera, që janë edhe më të pasur se ne.

Reagimi i Drejtorit të Komunikimit Endri Fuga:

Lajmi se Shqipëria do ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. Shqipëria hapi dyert për 4 mijë afganë e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne.

Ishte media britanike The Sun ajo që hidhte dritë mbi negociatat mes dy vendeve.

Biseda kryesore për këtë çështje është bërë gjatë vizitës së ministres së brendshme britanike, Priti Patel, javë më parë në Shqipëri. The Sun shkruante se, të gjithë klandestinët që do të kapen në Britaninë e Madhe dhe kërkojnë azil, fillimisht do të sillen në Shqipëri, ku do të ngrihet një qendër pritjeje.

Ndërsa autoritetet britanike do të shqyrtojnë kërkesat e tyre, vetë emigrantët do të qëndrojnë në një qendër pritje që do të ngrihet në Shqipëri.Siç shkruan The Sun, emigrantët e paligjshëm do të fluturojnë 1.500 kilometra nga Anglia, në një qendër që do ngrihet në Tiranë, ndërsa kërkesat e tyre janë duke u përpunuar nga autoritetet britanike.

Sekretarja e Brendshme Priti Patel shpreson se ky vendim do të pengojë ata persona që planifikojnë të bëjnë këtë udhëtim të rrezikshëm. Zyrtarët në Londër dhe kryeqytetin shqiptar Tiranë thuhet se janë afër arritjes së një marrëveshjeje për qendrën e përpunimit të emigrantëve ilegalë.

Shefi i shtabit të kryeministrit Boris Johnson, Dan Rosenfield është një nga njerëzit kryesor që po merret me këtë çështje dhe diplomatët e Ministrisë së Jashtme po ndihmojnë.

Një burim i brendshëm tha: ‘Sekretarja e Brendshme e ka bërë të qartë se ajo dëshiron që kjo qendër të ngrihet. Negociatat janë në një fazë teknike. Tani kemi detajet siç janë vendndodhja dhe numrat e saktë që do të dërgohen në Shqipëri’. /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 3.10.2021 15:46