Zelensky: Moska po dështon, grinden kush ka më shumë meritë për avancimin në Soledar

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se është një shenjë dështimi për Moskën që ka grindje të brendshme se kush e ka më shumë meritën për “avancimin taktik” në qytetin Soledar.

“324 ditë luftë në shkallë të gjerë dhe si ka ndryshuar gjithçka për Rusinë. Ata tashmë janë në fyt të njëri-tjetrit se kujt t’i atribuojnë një përparim taktik”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës të premten.

“Ky është një sinjal i qartë dështimi për armikun. Dhe ky është një tjetër nxitje për të gjithë ne që të bëjmë më shumë presion mbi okupatorin dhe t’i shkaktojmë humbje më të mëdha armikut”, tha ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi të premten se kishte pushtuar qytetin lindor të Ukrainës Soledar. Ushtria ukrainase tha se betejat për qytetin ishin në vazhdim.

“Beteja e vështirë për rajonin e Donetskut vazhdon. Beteja për Bakhmutin dhe Soledarin, për Kreminën, për qytetet dhe fshatrat e tjera në lindje të vendit tonë vazhdon”, tha Zelensky.

“Edhe pse armiku ka përqendruar forcat e tij më të mëdha në këtë drejtim, luftëtarët tanë – Forcat e Armatosura të Ukrainës, të gjitha forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë – po mbrojnë shtetin”, tha ai. /albeu.com


Shtuar 13.01.2023 22:33