Dokumentet e klasifikuara në shtëpi, Biden: Nuk ka asgjë, po bashkëpunoj me drejtësinë

Presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se “nuk ka keqardhje” për mënyrën e trajtimit të dokumentave të klasifikuara që u gjendën në shtëpinë dhe në ish-zyrën e tij dhe se beson se çështja do të zgjidhet.

“Mendoj do të konstatoni se nuk ka asgjë aty”, u tha Presidenti Biden gazetarëve ndërsa po inspektonte dëmet nga furtuna në Kaliforni. “Nuk kam keqardhje. Po ndjek çfarë më thanë avokatët se duhet të bëj. Është pikërisht ajo që po bëjmë. Nuk ka asgjë aty”, shtoi ai.

Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland javën e kaluar emëroi një prokuror të posaçëm për të hetuar çështjen pasi dokumentat e klasifikuara u gjetën në shtëpinë e Presidentit Biden në Wilmington, Delaware, dhe në një zyrë në Uashington, DC, që ai e përdorte përpara se të bëhej president.

“Jemi duke bashkëpunuar plotësisht dhe mezi presim ta zgjidhim këtë me shpejtësi”, tha Presidenti Biden.

Ai tha se ka vepruar sipas udhëzimeve nga avokatët e tij pasi “një pjesë e vogël e dokumentave u ruajtën në vendin e gabuar”. Presidenti tha se dokumentat iu dorëzuan menjëherë Arkivit Kombëtar pasi u gjetën.

Shtëpia e Bardhë ka qenë kryesisht në mbrojtje që nga njoftimet fillestare më 9 janar se ishin zbuluar dokumentat.

Ekipi ligjor i Presidentit Biden pranoi javën e kaluar se kishte gjetur dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij në Delaware, përfshirë disa dokumenta në garazhin e tij, nga koha kur ai ishte nënpresident në administratën e ish-Presidentit Obama.

Ndihmësit gjetën më parë një grup tjetër dokumentash të klasifikuara në rezidencën e tij dhe në një institut kërkimor në Uashington me të cilin ai kishte lidhje.

Presidenti Biden shprehu bezdinë kur u pyet për këtë çështje gjatë inspektimit të dëmeve nga stuhitë që shpërthyen në pjesën më të madhe të Kalifornisë.

“Unë do t’i përgjigjem pyetjes suaj, por ja si është puna. Ajo që sinqerisht më shqetëson është se kemi një problem serioz këtu për të cilin po flasim, për atë që po ndodh. Dhe populli amerikan nuk e kupton pse nuk më bëni pyetje për këtë”, tha ai. /VOA