Gara në mes të Tiranës, kapet “piloti” me Benz: Sa i kushtoi mendjemadhësia (VIDEO)

Një i ri që bënte manovra të frikshme me makinë mes Tiranës, është identifikuar dhe gjobitur nga Policia Rrugore e Tiranës.

Mësohet se i riu i xhironte garat që bënte dhe më pas i publikonte në rrjete sociale duke u lavdëruar te miqtë dhe të afërmit.

Pas ndalimit policia e gjobiti atë me 40 000 lekë gjobë, ndërkohë që po punohet për kapjen edhe të shoferit tjetër që garonte me të riun e gjobitur.

Postimi i plotë:

Bënte gara shpejtësie dhe i filmonte e i pasqyronte ato në rrjete sociale, kapet dhe ndëshkohet nga Policia Rrugore e Tiranës me masë administrative 40.000 lekë të rinj.

Vijon puna për kapjen edhe të drejtuesit një automjeti tjetër që bënte gara shpejtësie me të.

Policia Rrugore e Tiranës, krahas kontrolleve intensive të kryera për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe evidentimin e ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, ka nisur një punë verifikuese për videot e publikuara në rrjetet sociale që tregojnë qartazi shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.

Në kuadër të verifikimeve, është bllokuar automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin O. SH., i cili, në bulevardin “Zogu i parë”, ka kryer bashkë me drejtuesin e një automjeti tjetër, gara shpejtësie dhe i ka pasqyruar ato në rrjete sociale.

Policia Rrugore e ka ndëshkuar drejtuesin e automjetit tip “Benz” me masë administrative 40.000 lekë të rinj, si dhe vijon puna për kapjen edhe të drejtuesit të automjetit tjetër që bënte gara shpejtësie bashkë me drejtuesin e automjetit tip “Benz”.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos kryejnë gara shpejtësie, të vendosin rripin e sigurimit , të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos kryejnë parakalime të gabuara, si dhe të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur./albeu.com/


Shtuar 25.08.2022 12:04