“S’do as Ardi”, edhe emri i kreut të Mbikqyrjes Policore në dosjen e grupit kriminal

Edhe emri i Ardi Veliut i përfshirë në dosjen e SPAK-ut për grupin kriminal ku u arrestuan policë, biznesmenë dhe persona të njohur të botës së krimit.

Burime bëjnë me dije se emri i drejtorit të Mbikëqyrjes Policore, që ka mbajtur për disa vite postin e kreut të kupolës së Policisë, ishte në dijeni të aktivitetit të paligjshëm të Pëllumb Gjokës me lojërat e fatit, por pavarësisht kësaj, nuk urdhëroi të merreshin masa.

Ardi Veliu

Kjo del nga transkriptet e ardhura nga Franca ku Oltion Bistri flet vazhdimisht me biznesmenin Pëllumb Gjoka.

Në dosjen hetimore përmen fakte e rrethana ku Bistri e ka favorizuar Gjokën, duke e vënë në dijeni sa herë kishte kontrolle.

Madje ai i thoshte se kishte porositur vartësit të bënin sikur kishin ushtruar kontrolle dhe nuk kishin gjetur asgjë të paligjshme. Ndërkohë, që për këtë veprimtari ishte në dijeni edhe Ardi Veliu, dhe kjo konfirmohet nga biseda që Oltion Bistri bën me Gjokën.

Shefi i Operacionales i thotë “S’do as Ardi se i thashë. Bile dhe për këtë me çau… i thashë e lë punën se i kam dhënë llafin dhe se heq”.

Bistri e këshillon Gjokën të mos e hapë aktivitetin kur ka kontrolle, e i kërkon gjithashtu që të mos njoftojë njeri tjetër pasui i shkakton probleme.

Kujtojme se Gjykata e Posaçme dha sot  masën e sigurisë  për 6 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Megaoperacion”.

GJKKO la në burg pa afat biznesmenin Pëllumb Gjoka, shoferin e tij Edmond Preka, Astmer Bilali, ish-shefin e krimeve Ardrit Hasanbegaj, ish-kreun e Operacionales Oltian Bistri dhe drejtuesin e prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita.

Gjashtë personat në fjalë dhe nëntë të tjerët në kërkim akuzohet për një vrasje dhe katër të tjera të mbetura në tentativë. Seanca ka pasur mjaft debate mes biznesmenit Gjoka dhe avokatit të tij përballë prokurorëve.

Biznesmeni tha se nuk ka përdorur asnjëherë një aplikacion të tillë “EncroChat” dhe “Sky” që zbërthye drejtësia franceze me bisedat mes grupeve kriminale.

Avokati i biznesmenit, Ylli Manjani deklaroi në dalje nga gjykata se prokuroria po merr njerëz në qafë kot, pasi sipas tij nuk ka asnjë provë.

“Hetimi ka filluar me indicie policore. Nuk ka asnjë provë që klienti im të ketë lidhje me ato ekriptime. Flitet për persona në hetim dhe indicie që janë marrë me letër-porosi nga Franca. Mënyra si është marrë nuk është e qartë.

Si lidhet, ajo që thuhet me personat. Dhe e treta si lidhen ngjarjet e pretenduara me veprimet dhe pasojat që kanë ardhur. Ju lutem mos merrni persona në qafë.  Prokuroria është treguar e papjekur sepse ka nxituar me masë. Në vend që të hetonte dhe të provonte ato që thoshte. Gjithë ky nxitim nuk ka për t’i shërbyer as prokurorisë, por futjen në sherr të njerëzve.

Gjoka ka mohuar që të jetë përdorues i këtyre aparateve dhe pronari i atyre fjalëve që thuhet se janë në komunikime” tha avokati./albeu.com/


Shtuar 29.07.2023 16:11