Kulla me 58 kate në mes të Tiranës, Boçi: Poshtërsia e rradhës, do të bëjnë “kurban” edhe Pallatin e Kongreseve

Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi ka reaguar në lidhje me kullën që do të ndërtohet në parkun pas Teatrit të Operas në Tiranë, për të cilën tashmë kanë filluar punimet.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Boçi shkruan se autorët janë të njëjtët që shkatërruan teatrin, stadiumin dhe sipas tij, së shpejti edhe Pallatin e Kongreseve.

Boçi thotë se për shkak të skandaleve dhe situatës korruptive, kundërshtarët politik duan të implikojnë familjen Berisha, teksa kërkoi një përgjigje nga pushteti.

Reagimi i plotë:

NUK FUTET KULLA NE THES

I shpërfyturuar nga skandalet që të lenë pa fjalë pusheti i Ramës tjerr fjalë e thashetheme kafenesh, nëpërmjet “kazanëve” të mirëfinancuar dhe patericave politike, për të zhvendosur vëmendjen e publikut e për të relativizuar shkallën e paimagjinueshme të korrupsionit.

Kulla e rradhës në qendrën e Tiranës nuk është gjë tjetër, veçse çibani gjigand i rradhës në pjesën e gjelbëruar të kryeqyetit më të betonizuar në botë.

Autorët janë po ata që shembën teatrin, që zhdukën stadiumin, që zhdukën kinematë e që do zhdukin vlera të tjera arkitekturore historike të kryeqytetit. (Pallati i dashur i kongreseve për të majtët, pritet të bëhet kurban)

Dhe gjithmonë pasi kanë bërë këto janë munduar të fshihen si mos më keq.

Herë në thesin e modernitetit, herë në thesin e zhvillimit të territorit, herë në thesin e investimeve strategjike.

Tani për shumë arsye të situative politike e korrupsioniste, skadaleve pa fund, kullën që kafshon hapësirën pothuaj të fundit të gjelbërt të Tiranës duan ta fusin në thesin e “dhuratës” së kundërshtarit politik, duke implikuar familjen Berisha.

Poshtërsia e rradhës pas qindrave të tilla.

Asgjë për t’u çuditur!

Propaganda është propagandë!

E trishtë për ato personazhe që duan të shpëtojnë politikisht duke u matur me demek me hijen e kullave, ndërkohë që kanë hedhur firmat aty dhe për disa të tjera që do vijnë e do çudisin botën.

Sfida për akuzuesit është hedhur!

Revokimi është kërkuar.

Le të japin tani një përgjigje e të mos mundohen ta lenë kullën në prehrin e opozitës!


Shtuar 7.08.2023 13:23