Mijëra abonentë të ONE Albania pa shërbim nga mëngjesi, shteti hesht: Një zë automatik thotë..

One Albania duket se vijon me problemet teknike edhe disa muaj pas bashkimit problematik që bëri më herët me Albtelecom duke shkaktuar kaos te abonentët.

AlbEu mëson se mijëra abonentë të One Albania janë zgjuar pa shërbimin telefonik mëngjesin e sotëm për shkaqe, të cilat kompania nuk i ka bërë ende të ditura.

Kemi që në mëngjes pa valë dhe kur merr shërbimin e klientit thjesht dëgjon një zë automatic që të thotë po bëjmë ndërhyrje në rrjet. Nuk të japin as shansin të lidhesh me operatorin”, shprehet një abonente e ONE Albania për AlbEu.com.

Mjaft abonentë nuk munden të bënin telefonata, kurse të tjerë paten probleme me shërbimin e internetit.

Krahas ankesave që kanë ardhur në redaksinë e AlbEu në lidhje me këtë problematikë, në faqen e Facebook të kompanisë duket një numër i madh abonentësh që ankohen pikërisht se nuk bëjnë dot telefonata me numrat e tyre ONE.

Në lidhje me situatën kaotike të abonentëve nuk ka asnjë reagim edhe nga AKEP apo institucione përgjegjëse që mbrojnë të drejtat e konsumatorëve në Shqipëri. /albeu.com