“Luftojmë deri në frymën e fundit”, Ronaldo: Vendi i katërt, i arritshëm

Manchester United ka pasur shumë turbulenca gjatë sezonit 2021-2022, por Cristiano Ronaldo ende beson se ata mund ta mbyllin mirë kampionatin.

Portugezi ka folur me shokët e skuadrës, duke insistuar se ata e kanë ende mundësinë për ta mbyllur sezonin në top 4-she, duke siguruar një vend në Champions League.

Ndërsa është shpallur lojtari i muajit mars te “Djajtë e Kuq”, Ronaldo u kërkoi shokëve të ekipit në një postim në “Instagram”, që të vazhdojnë të përpiqen.

“Arritjet individuale janë gjithmonë të mirëpritura, por ato vlejnë shumë më tepër kur janë të lidhura me fitoret në grup. Ka ende shumë gjëra për të luftuar deri në përfundim të sezonit dhe nuk mund të ndalojmë në arritjen e qëllimeve tona që janë të mundura për t’u arrirë. Faleminderit të gjithëve që më votuan. Le të arrijmë më shumë. Të luftojmë deri në frymën tonë të fundit. Vazhdojmë Djaj.”-shkruan portugezi në reagimin e tij.

Manchester United nuk ka pasur një ecuri shumë pozitive dhe pas 30 javëve renditet në vend të shtatë me 51 pikë 3 më pak se vendi i katërt që mbahet nga Tottenham.


Shtuar 6.04.2022 17:23