Si lufta në Ukrainë e ka ndryshuar rolin e dyshes Francë-Gjermani brenda BE-së

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Lufta brutale e Rusisë kundër Ukrainës, ka nxitur veç të tjerash shfaqjen e kontureve të një Evrope të re. Në skajin lindor dhe verior të kontinentit, Finlanda dhe Suedia po i bashkohen NATO-s. Ndërkaq Bashkimi Evropian i ka dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit për anëtarësim në klubin që aktualisht përbëhet prej 27 vendesh.

Por ndryshime të mëdha po ndodhin edhe në zemrën historike të unionit. Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë po përpiqen të kuptojnë se çfarë do të thotë e gjitha kjo për vendet e tyre si dhe aftësinë për të kapërcyer dallimet midis tyre. Të paktën në nivel simbolik po ndodh një ripërtëritje e raporteve franko-gjermane. Më 6 qershor, kancelari gjerman Olaf Scholz priti në një takim më Potsdam presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Të dy shëtitën së bashku në qytetin e bukur dhe darkuan për gati 3 orë. Ky takim është pjesë e një përpjekjeje për të lënë pas një periudhë acarimi të ndërsjellë. Raportet dypalëshe arritën në pikën më të ulët vjeshtën e vitit të kaluar, kur Franca anuloi një takim të përbashkët të qeverive.

Tani kjo mbledhje ka ndodhur. Dhe gjermanët e kanë ftuar Macron për një vizitë të plotë shtetërore në korrik, e para u një një presidenti francez në 23 vitet e fundit. Secili nga 2 vendet është duke u përballur me një sfidë të madhe për parimet e tij themelore.

Për Gjermaninë, lufta në Ukrainë ka përmbysur themelet e modelit të saj ekonomik të para-luftës, bazuar tek energjia e lirë ruse dhe eksportet e shumta drejt Kinës. Vendi është distancuar tani nga gazi rus. Për dekada të tëra, e shqetësuar për konceptin e fuqisë ushtarake, Gjermania është bërë tashmë një furnizuese e madhe për ushtrinë e Ukrainës.

Ndërkohë, ajo po shpenzon 100 miliardë euro shtesë për riarmatosje. Sigurisht, mund të duhet kohë që të hyjë plotësisht në fuqi “Zeitenwende” (pika e kthesës historike). Por fakti është që Gjermania po ndryshon. Për Francën, ndryshimi është më pak i dukshëm, por jo më pak i thellë.

Në kërë rast ndryshimi ka të bëjë më pak me modelin ekonomik të vendit, i cili nuk është aq i varur nga eksportet sa ai i Gjermanisë dhe as për shkak të energjisë bërthamore, nuk ishte aq e varur as nga gazi rus. Përkundrazi, Franca po ri-mendon kufijtë, aleancat dhe sigurinë evropiane.

Tradicionalisht jo entuziaste për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, Franca i ka trajtuar si rishtarë vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Në vitin 2003, presidenti i atëhershëm i Francës Jacques Chirac, refuzoi mbështetjen e vendeve aspirante për në BE nga Evropa Lindore për shkak të përkrahjes të pushtimit të Irakut nga SHBA (të cilin Franca e kundërshtoi).

Chirac deklaroi se ata “e kishin humbur mundësinë për të mbyllur gojën”. Në vitin 2019, Franca vuri veton kundër hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por lufta e Rusisë në Ukrainë, ka përshpejtuar një ndryshim strukturor.

Një element është mbështetja e re e Francës për zgjerimin e BE-së. Gjatë vizitës në Kiev qershorin e vitit të kaluar, Macron mbështeti Ukrainën dhe Moldavinë për dhënien e statusit të kandidatit. Ndërkohë Franca e ka hequr veton e saj në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Më 31 maj gjatë një fjalimi në Sllovaki, Macron deklaroi për habinë e shumëkujt se zgjerimi i BE-së duhet të ndodhë “sa më shpejt që të jetë e mundur”. “Për ne çështja nuk është nëse duhet të zgjerohemi, por si duhet ta bëjmë këtë”- tha ai. Duke iu referuar deklaratës së famshme të Chirac, Macron deklaroi para audiencës së tij kryesisht të Evropës Qendrore dhe Lindore:“Ndonjëherë ne kemi humbur mundësinë për t’iu dëgjuar”.

Deklarata të tilla kanë qetësuar ata që ishin të shqetësuar se ideja e Macron për një Komunitet më të gjerë Politik Evropian, ishte në fakt një dredhi për ta penguar zgjerimin e BE-së. I projektuar për të bërë bashkë 2 herë në vit vendet nga Britania në Gjeorgji, ky Komunitet u takua për herë të dytë më 1 qershor në Moldavi, vetëm 20 km nga kufiri ukrainas.

Me praninë edhe të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, samiti ishte një shfaqje uniteti për vendin e tij të goditur nga lufta, si dhe një nxitje për vendin mikpritës, Moldavinë. Tani Franca po sheh që kufijtë e BE do të shtrihen më në lindje.

Revizionizmi territorial rus, shkroi kohët e fundit Alexandre Adam, një ish-këshilltar për Evropën i Macron, e ka bërë zgjerimin një “domosdoshmëri gjeopolitike…dhe nuk ka më një zonë gri të qëndrueshme midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë”.

Ndryshimi i dytë i qasjes së Parisit ka të bëjë me sigurinë. Macron dëshiron që Evropa të bëjë më shumë për të mbrojtur veten dhe për t’u mbështetur më pak tek Amerika, sidomos përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të 2024-ës. Por evropianët e tjerë druhen se një retorikë e tillë do të zbehë angazhimin e Amerikës ndaj sigurisë evropiane.

Por gjeopolitika e re e kontinentit, duket se po e bën më të guximshme Francën. Në Bratislavë, Macron bëri thirrje që Ukrainës t’i hapa “rruga drejt anëtarësimit në NATO” që në samitin e aleancës që do të mbahet në korrik në Vilnius të Lituanisë.

Kjo është një kthesë e bujshme për një udhëheqës, që në vitin 2019 tha në një intervistë për “The Economist” se NATO ishte “në gjendje kome”, dhe që mbetet i shqetësuar për të luajtur ndonjë rol të saj jashtë Evropës. Aktualisht në Francë po zhvillohen biseda serioze se si t’i jepen Ukrainës garanci të forta dhe të besueshme për sigurinë.

Më 19 qershor, Ministrat e Mbrojtjes do të takohen në Paris për të diskutuar në lidhje me mbrojtjen ajrore evropiane dhe aftësinë për “goditje të thella”. Madje Macron është gati të zhvillojë një dialog për parandalimin bërthamor francez. Ndërsa Gjermania dhe Franca po  përpunojnë secila strategjitë e tyre dhe po i përshtaten një Evrope të re që po merr formë, diskutimet e tyre do të jenë të vështira.

Duke qenë njëri i heshtur dhe i kujdesshëm, tjetri megaloman dhe rrezikues, të dy udhëheqësit po përpiqen të lexojnë njëri-tjetrin. Deri tani dyshja është në të njëjtën linjë për zgjerimin e BE-së, por ka ndërkohë debate të forta mbi rregullat e reja për punën e brendshme të BE-së, një prelud ky i zgjerimit të mëtejshëm.

Gjermania, ashtu si SHBA-ja, mbetet e kujdesshme në lidhje në hyrjen e Ukrainës në NATO. Franca është e frustruar nga konfuzioni dhe ngadalësia e koalicionit qeverisës të zoti Scholz.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës i ka mësuar evropianët, se organizimi i kontinentit të tyre, në çfarëdo lloj maske, është shumë më i gjerë sesa aleanca e ngushtë midis Parisit dhe Berlinit. Gjermania po shpenzon më pak kohë duke u shqetësuar për Francën. Franca është më e prirur se më parë për të dialoguar me vendet e tjera brenda BE-së. Megjithatë, nëse Franca dhe Gjermania nuk mund të bien dakord pak gjëra ndodhin në bllok. Si rregull, ato ndryshojnë në qasje mbi shumicën e çështjeve, por ndajnë vullnetin për t’i kapërcyer ato dallime. Aftësia e tyre për ta bërë këtë, do të jetë vendimtare për përcaktimin e formës së kësaj Evrope të re. /albeu.com

 


Shtuar 9.06.2023 10:35