Super dueli Fury – Wilder, Joshua parashikon fituesin

Anthony Joshua ka parashikuar se Tyson Fury do ta rrahë Deontay Wilderin në rimeçin e tyre për titullin e kampionit të botës këtë muaj, duke këmbëngulur se bashkatdhetari i tij britanik mund ta lëndojë apo mbizotërojë amerikanin.

Fury do ta sfidojë Wilderin për titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC më 22 shkurt në Las Vegas.

Joshua, ndërkohë, pritet t’i mbrojë titujt në IBF, WBA dhe WBO kundër Kubrat Pulev, me gjasë në stadiumin e Tottenham Hotspur në Londër.

I pyetur për rimeçin e rivalëve të tij, Joshua tha për Sky Sports: “Është më mirë të fitojë Wilder sepse njerëzit e presin më padurim një meç me mua”.

“Por mendoj se Fury do të fitojë. Për të fituar, Wilderit i duhet ta nokautojë Furyn, e herën e parë nuk mundi ta bëjë këtë”, shtoi ai.

“E për të fituar Fury, atij i duhet ta mbizotërojë apo lëndojë Wilderin. Fury ka më shumë arsenal sesa Wilderi, prandaj edhe e zgjedh atë për të fituar”, theksoi ai.


Shtuar 13.02.2020 10:26