Inceneratorët, Sali Berisha: Arben Ahmetaj dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë, Rama dhe Veliaj duan t’i mbyllin gojën

“Arben Ahmetaj dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë!”

Kështu deklaroi ditën e sotme ish-kryeministri Sali Berisha në një dalje për mediet.

Duke e cilësuar aferën e inceneratorëe si vjedhjen e shekullit, Berisha tha se do të jetë hetimi ose dështimi i shekullit. Ai akuzon kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj se kërkojnë t’i mbyllin gojën Ahmetajt.

Berisha: Jam këtu sot për të denoncuar përpara shqiptarëve disa zhvillime me të cilat, kupola e mafies së plehrave po bën gjithçka për të ndikuar dhe për të penguar hetimin. Së pari, u informoj se prej tre javësh, breshëri kërcënimesh me jetën e tij, të prindërve dhe familjarëve të tjerë, fëmijëve, vërshojnë nga të katër anët drejt Arben Ahmetajt.

Këto kërcënime kriminale dëshmojnë tmerrin dhe datën që Arben Ahmetaj u ka kallur Edi Ramës dhe Erion Veliajt si bosët kryesorë të vjedhjes së shekullit. Me këto kërcënime ndaj Ahmetajt, Rama dhe Veliaj kërkojnë me çdo kusht që t’i mbyllin gojën që të mos i bëjë publike ndërhyrjet e Ramës dhe Veliajt si kupolë kryesore e vjedhjes së shekullit.

Sipas Berishës, Ahmetaj është kërcënuar nga burgjet. Ai i bën thirrje hetuesve, prokurorëve, policëve dhe punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por edhe vetë Arben Ahmetaj.

Berisha: Kërcënimet me jetë ndaj familjes së Ahmetajt që vërshojnë nga qelitë e burgjeve të Shqipërisë dhe zyrat e krimit të institucioneve shtetërore, dëshmojnë se Rama, Agaçi dhe Veliaj janë de facto dhe de jure, ligjërisht dhe penalisht, truri dhe ekzekutorët kryesorë të vjedhjes së shekullit.

Ju bëj thirrje të gjithë hetuesve, prokurorëve, policëve, punonjësve të organeve të zbatimit të ligjit, që janë të interesuar në zbardhjen e të vërtetës rreth vjedhjes së shekullit, të marrin të gjitha masat për të mbrojtur familjarët, fëmijët, por edhe vetë Arben Ahmetaj.

Të dërgojnë aty ku ndodhet ky i fundit hetues, duke e pranuar atë si bashkëpunëtor të drejtësisë. Shqiptarët, mbi të gjitha duan të zbardhet e vërteta dhe të marrin mbrapsht paratë qindra milionë që ky grup i grabiti atyre me këtë aferë./Albeu.com/ 


Shtuar 3.08.2023 12:49