“Ciklon bombë”, fenomeni i rrallë i motit godet Kaliforninë, 2 të vdekur dhe mijëra pa energji

 Shiu i dendur dhe erërat e fuqishme po godasin zonat bregdetare të Kalifornisë veriore dhe sinoptikanët kanë paralajmëruar rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.

Moti më i ashpër pritet në orët në vijim si pasojë e një sistemi të fuqishëm stuhish të njohur si “ciklon bombë.”

Të paktën dy persona kanë vdekur, duke përfshirë një fëmijë të vogël dhe mijëra janë pa energji elektrike.

Kalifornia është në gjendje të jashtëzakonshme që nga e mërkura.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se Kalifornia do të vazhdojë të ndikohet nga kushtet atmosferike të këqija deri të enjten, “me reshje të dendura deri të tepërta, përmbytje dhe rrëshqitje të dheut, dëborë të madhe dhe erëra të forta”.

Urdhrat e evakuimit dhe këshillimet ishin në fuqi në pjesë të ndryshme të Kalifornisë veriore dhe autoritetet lokale kanë paralajmëruar për kërcënime ndaj jetës dhe pronës, veçanërisht rreth San Franciskos dhe Sacramentos.

“Përmbytjet janë të pashmangshme”, tha të mërkurën kryebashkiaku i San Franciskos, London Breed.

“Ne duam që njerëzit të qëndrojnë brenda.”

Mediat lokale raportuan se një fëmijë, që besohet të jetë rreth dy vjeç, vdiq në Sonoma në veri të San Franciskos kur një pemë ra në shtëpinë e tij.

Një vajzë 19-vjeçare gjithashtu vdiq në një qark aty pranë pasi makina e saj rrëshqiti në një rrugë të përmbytur dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi, sipas raportimeve.

Rreth 180,000 njerëz në Kaliforni kanë mbetur pa energji elektrike që nga mëngjesi i së enjtes për shkak të stuhisë, shumë prej të cilëve u përqendruan në bregdetin verior të shtetit.

Parashikuesit kanë paralajmëruar se stuhia do të shndërrohet në një ciklon bombë, një lloj stuhie shpërthyese dhe ka të ngjarë të jetë vdekjeprurëse. /Albeu.com/


Shtuar 5.01.2023 21:51