Dëshmia në GJKKO e vrasësit të Behar Sofisë: 50 mijë euro për një tjetër ekzekutim në Kamzë, shënjestra ishte 34 vjeç

Ernejt Shyti, i cili ndodhet në burg për vrasjen e Behar Sofisë, ka rrëfyer se  kishte marrë porosi të vriste një 34 vjeçar, që jetonte në Kamzë, pranë komisariatit të policisë.

Dëshminë ai e dha në seancën më të fundit, ku nxori detaje për porositë që i jepte Bujar Leza, pasi ekzekutoi Sofinë në anë të Lanës në Tiranë, dhe për të cilën do të paguhej 50 mijë Euro.

“Pasi u vra Behar Sofia, kishim porosi tjetër nga Bujar Leza. Do të bënim një vrasje në Kamzë, shenjestra ishte një person, 34 vjeç që e kishte shtëpinë në Kamzë, shumë pranë komisariatit të Policisë. Këtë vrasje do e bënte Xhulian Visha, por zona ishte shumë e monitoruar dhe ndaj paguhej shumë lekë. Nuk u arrit qëllimi sepse duhej studiuar mirë zona, ishte tepër e vështirë”, tha Shyti.

Ernejt Shyti, i cili është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë, përmend shumën e parave që ishin vënë në dispozicion për eliminimin e të riut. Shyti nuk e jep emrin e shenjestrës dhe se cila ishte arsyeja që Bujar Leza e donte të vdekur por tregon se kishte angazhuar për ta kryer ekzekutimin Xhulian Vishën, sipas Report Tv.

Në vitin 2014, Leza në bashkëpunim me Leonar Xhixhën, dhe një person tjetër, tentuan që të vrisnin Fatjon Alimanin.

Porositësi i vrasjes, Mirdash Osmani kishte kërkuar eliminimin e 20-vjeçarit, pasi disa muaj para atentatit të dështuar ishte përplasur me të, ngjarje që  përfundoi në plagosje më armë zjarri.

Por fatmirësisht plani u pikas në kohë nga Policia në atë kohë. Mesa duket Leza nuk kishte hequr dorë nga “profesioni”, duke ndërhyrë në vrasjen e Sofisë.

Nga ana tjetër Xhulian Visha, u arrestua si pjesë e grupit të atentatit të 2021 në Tiranë, pasi u përfshi në vëzhgimin dhe koordinimin e planit të vrasjes.

Më herët Shyti ka folur për një vrasje që do të bënte në Gjermani. Pasi vrau Behar Sofinë i njohur si “padron droge”, afër Piramidës në anë të Lanës, Ernejt Shyti, aktualisht në burg, do të ekzekutonte dhe një tjetër person në Gjermani. Pohimin 24 vjeçari e bëri në gjyq, ku tregoi për vrasjen e Sofisë, për të cilën iu premtuan 500 mijë euro.

66 vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge”, u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit 2021 afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë.

Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66 vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës.

Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.


Shtuar 2.04.2023 12:24