Vera e nxehtë në Francë mund të ketë shkaktuar mbi 2 mijë vdekje

Tri valët e njëpasnjëshme të nxehtësisë, si dhe COVID-19 besohet t’i kenë shkaktuar mbi 10 mijë vdekje më shumë se zakonisht këtë verë në Francë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të vendit.

Gjithsej 10.420 vdekje më shumë sesa zakonisht u regjistruan gjatë periudhës mes 1 qershorit dhe 15 shtatorit në verën e dytë më të nxehtë të shënuar në Francë që nga viti 1900, sipas të dhënave nga agjencia e shëndetit publik.

Nga këto, 2.816 vdekje u regjistruan gjatë tre periudhave kur pati nxehtësi ekstreme, nga 14 deri më 22 qershor, nga 9 deri më 27 korrik dhe nga 29 korriku deri më 14 gusht.

Të moshuarit ishin më të prekurit, pasi që personat mbi 75 vjeç përbëjnë 2.272 nga gjithsej 2.816 personat e vdekur gjatë valës së nxehtësisë.
Shumicën e këtyre vdekjeve u shënuan në katër zona të Francës – Auvergne-Rhone-Alpes, Nouvelle Acqutaine, Occitaine dhe Provence-Alpes-Côte d’Azur – gjatë valës së të nxehtit.

Pandemia COVID-19 besohet të ketë pasur rol edhe në vdekjet gjatë këtyre periudhave të të nxehtit, sipas agjencisë, pasi 894 vdekje shkaku i këtij virusi u regjistruan në spitale gjatë valëve të nxehtësisë.

“COVID-19 mund t’i ketë bërë disa njerëz edhe më të ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe ekspozimi ndaj temperaturave të larta mund ta ketë përkeqësuar shëndetin e disa pacientëve me COVID-19”, thanë nga agjencia e shëndetit publik në Francë./REL/


Shtuar 22.11.2022 13:24