Kaloi vettingun, prokurori nuk përmbahet dhe puth bashkëshorten

Rikonfirmimi në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka qenë një shkak për festë për prokurorin e Krujës Florian Bonjaku, i cili me të marrë përgjigjen pozitive shkoi të bashkëshortja duke e përqafuar dhe puthur atë.

Bonjaku u pa si i aftë për të vijuar detyrën nga një trupë vlerësimi e përberë nga Xhensila Pine, Olsi Komicin dhe Valbona Sanxhktari.

Komici tha gjatë relatimit se Bonjakut i ishte kaluar barrë prove për “cënimin e besimit të publikut te drejtësia” në lidhje me një kontratë shit-blerjeje me vjehrrin dhe vjehrrën që prokurori pranoi se ishte bërë vetëm formalisht me qëllim marrjen e një kredie. Komici tha se Bonjakut i ishin kërkuar shpjegime në transaksionet e bëra cash për shitjen e një apartamenti 9.6 milionë lekë dhe blerjen e një apartamenti për 8.9 milionë lekë.

Bonjakut po ashtu iu kërkuan shpjegime në lidhje me zbutjen e akuzës ndaj një personi të arrestuar për kultivim narkotikësh, por të dërguar në gjykim për “moskallëzim krimi”.

Gjatë fjalës së tij, prokurori Bonjaku këmbënguli se kontrata me familjen e bashkëshortes nuk kishte dëmtuar askënd dhe se kishte qenë e vetmja formë që ai dhe familja të bëheshin me shtëpi.

Seanca ndaj prokurorit të Krujës pati më shumë vëmendje se seancat e zakonshme të KPK-së. Tre herë gjatë seancës, të pranishmëve, kryesisht familjarë të Bonjakut, iu bënë me dije rregullat, përfshi kërkesën specifike për të mos fotografuar apo filmuar gjatë seancës. Ndërkohë i pranishëm në sallë në pjesën e publikut ishte edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.