Stoltenberg: Ukrainasit do t’i vendosin kushtet për negociata me Rusinë

I takon Ukrainës të vendosë se kur janë kushtet e duhura për t’u përfshirë në negociata pas pushtimit rus, tha të enjten shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, duke nënvizuar qëndrimin e pandryshuar të aleancës, pas komenteve nga një aleat i ngushtë në fillim të kësaj jave.

“Janë ukrainasit, dhe vetëm ukrainasit, ata që do të vendosin kur kushtet janë të përshtatshme për negociata dhe gjithashtu, ata do të vendosin në tryezën e bisedimeve se cila zgjidhje do të jetë e pranueshme”, tha Stoltenberg.

Duke folur në një konferencë në qytetin norvegjez të Arendalit, ai shtoi se roli i NATO-s është të mbështesë Ukrainën.

Diskutimet e brendshme në NATO se si t’i jepet fund konfliktit në Ukrainë janë në vazhdim dhe do të vazhdojnë derisa të arrihet paqja, vuri në dukje ai.

Komentet e Stoltenberg vijnë pas komenteve nga shefi i tij i shtabit, Stian Jensen, i cili tha publikisht të martën se Ukraina mund t’i lëshojë territor Rusisë në këmbim të anëtarësimit në NATO dhe përfundimit të luftës.

Jensen kërkoi falje dhe sqaroi komentet e tij të nesërmen, të mërkurën, pasi kishte reagime të zemëruara në Kiev.

Megjithatë, Jensen nuk përjashtoi që në tryezën e negociatave të jetë një marrëveshje tokësore për anëtarësimin në NATO.

Kur zhvillohen negociata serioze për paqen, atëherë situata ushtarake në atë kohë dhe kush kontrollon çfarë territori, “është domosdoshmërisht kritike”, tha Jensen.

“Pikërisht për këtë arsye, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të mbështesim ukrainasit me atë që u nevojitet”, vazhdoi zyrtari, i cili theksoi se anëtarët e NATO-s janë ende në anën e Ukrainës.

“Mesazhi i Jensen, i cili është i imi dhe i NATO-s, është, para së gjithash, se politika e NATO-s mbetet e pandryshuar – ne mbështesim Ukrainën”, nënvizoi Stoltenberg.


Shtuar 17.08.2023 13:38