Sali Berisha jep detaje për vrasjen e Azem Hajdarit: E kishin paralajmëruar!

Kryeministri Sali Berisha ka folur për thirrjen e prokurorisë së Tiranës, që i bëri kërkesë të japë dëshminë për vrasjen e ish deputetit demokrat Azem Hajdarit. Në emisionin “Opinion”, Berisha u shpreh se nuk ka marrë asnjë fletëthirrje nga Gjykata asnjëherë në jetë ndërsa thekson se vrasësit e Hajdarit janë vetë shteti dhe banda e Haklajve janë të dërguar nga shteti.

“Në mënyrë kategorike, nuk kam marrë kurrë në jetën time fletëthirrje. Nuk ka një media që të ketë botuar që të vërtetojë të kundërtën e kësaj që them unë. Jo, Fatos Klosi dhe ish bashkëpunëtori i sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi bënin lojë dhe skupe se nuk më thërrisnin dot. Nuk më thërrisnin dot për dy fakte. E para që do tu bëja pretencë politike dhe e dyta nuk isha dëshmitar okular.

Unë kisha qenë në zyrë dhe cfarë do që të dëshmoja unë, nuk lidhte dot fuqinë e një prove pa u identifikuar. Së treti më e rëndësishmja që e di ti dhe gjithë Shqipëria. Vetëm në harkun kohor atë ditë kam bërë 3 konferenca shtypi, pa thënë pastaj konferencat e shtypit duke pasur parasysh dhe disa faktorë që i bënin të tjerë të druheshin të dilnin publikisht, unë e bëja. Unë, Sali Berisha kam denoncuar publikisht cdo të dhënë që ka ardhur, kam denoncuar publikisht vrasjen shtetërore të Azem Hajdarit.

Biem dakord që Azem Hajdari ishte ndër personalitetet më të rralla të jetës politike shqiptare. Cfarë ishin bandat terroriste Haklaj? Ishte një bandë e zakonshme? Jo, ajo është një bandë shtetërore me kapitenë, majorë, nënkolonelë e të tjerë. Bandë ishte dhe Zani Caushi, por nuk u bë shef komisariati.

Vrasësit Haklaj morën komisariatin vetëm për tu hakmarrë në emër të regjimit që u përmbys në Tropojë dhe Azem Hajdarin ndër të tjerë. Pra kjo është tjetër sfond politik. E vrau shteti Azem Hajdari. Pse unë kam akuzuar?

Së pari, kemi pasur informacion se vrasësit e Azem Hajdarit, atë ditë në drekë kanë pritur në aeroport Fatos Nanon (që kthehej nga Lisbona). Kjo nuk mund të ishte një e dhënë e kotë. Pse akuzova Nanon? Sepse pas vrasjes, ne i kemi ndjekur vrasësit dhe bandën terroriste. Absolutisht nga Lapraka deri në Bajram Curr, asnjë postbllok policie, jo vetëm që nuk i ka ndaluar por edhe nderuar. Ne na u tha që kemmi njoftuar të gjithë postblloqet ti ndalojë dhe kemi njoftuar se është shefi i komisariatit që ka ekzekutuar Azem Hajdarin.

Përderisa Nano nuk veproi dhe mos harroni, u formuluan akuza për krime ndaj njerëzimit. Nano deklaroi: Faktoni këto akuza ose jap dorëheqjen. Nanos i kanë raportuar se kishin kryer krim ndaj njerëzimit. Historia më vonë tregoi se ai absolutisht nuk ishte personi i lidhur direkt.

A kishte lidhje shefi i Shërbimit Informativ për vrasjen? Ata që organizojnë atentatet, kanë gjithmonë informacione. Më thoni pse ia mbathi të nesërmen në Himarë? Pasi rregulloi azilin e Fatosit në Maqedoni, për vete zgjodhi Himarën”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri u shpreh se ka besim të plotë ndaj dëshmive të personave të tjerë që i treguan jashtë selisë së PD ku u qëlluar për vdekje Azem Hajdari. Berisha zbulon se Hajdari ishte në dijeni për sulmin që po i kryhej pasi 10 ditë para vrasjes i shkuan bandat në shtëpi, ndërsa ish-kryeministri i sugjeroi të fshihej.

“Janë përpjekur në mënyrën më kriminale që ta paraqesin si sherrnajë por Azem Hajdarit, familja dhe rrethi i tij në mënyrë absolute nuk kanë patur kurrë deri ditën që është vrarë, asnjë sherr më të vogël me bandën kriminale Haklaj. Hajdari ka qëlluar politikisht kundëer terrorit, vrasjeve politike që kjo bandë kryente në Tropojë. Shteti kërkonte ta vriste nëpërmjet këtyre. I thashë, Azem, ata do të zbatojnë në porosi. Mirë është që të zhdukesh.

Në rregull ose duhet të fshihesh, ose të qëndrosh e tu biesh. Kjo nuk është mënyra jonë. Azemit i kishin dalë në pritë dhe tek shtëpia. Kush ishin ata? Ishin shteti. Ata ishin vrasësit e shtetit. Në pritë po të më pyesësh mua e nxori Fatos Klosi. Kurthin e organizoi dhe e serviri shërbimi. Kishte një radio të shërbimit informativ aty, jo të policisë”, tha Berisha./opinion.al


Shtuar 28.09.2020 20:48