Rama paralajmëron sërish kompanitë: Deklaroni pagat, do të godasim pa asnjë tolerim

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sërish kompanitë ne vend që të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre.

“Ne do vazhdojmë ta kërkojmë këtë gjë. Njësia që kemi ngritur ka hyrë në hetime. Në deklarimin tjetër i bëj thirrje që të vënë pagat, pasi do të godasim pa asnjë tolerance atje ku do kapim. Nëse del keq me pagat nga hetimi tatimor, do të shkosh në prokurori. Ne s’duam që kompanitë të shkojnë në prokurori.”, tha Rama.

Kujtojmë se para disa muajsh, kur dolën në qarkullim listat e pagave, Rama më 20 dhejtor u bëri thirrje kompanive të deklaronin rrogat deri më 20 janar.

“Të gjitha ato kompani që japin paga fiktive të rregullojnë deklarimet. Në dijeninë time ka nisur apo do nisë një letër për tatimpaguesit me deklarime shqetësuese që rezultojnë në mospërputhje flagrante me kapacitetet e tyre, duke ju kërkuar të vetëdeklarohen deri në 20 janar. Dhe në rast mosvetërregullimi do ketë hetim të thelluar për evazion. Evazioni dënohet me burg”, tha ai.

Por kjo nuk ka qenë hera e fundit, Rama vazhdimisht bën paralajmërime të tilla, ndërkohë që asnjë masë nuk është marrë ndaj abuzuesve./albeu.com


Shtuar 30.03.2022 11:35