Sot dita e dytë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, pritet fjala e ekipeve mbrojtëse

Sot, 4 prill, ëhstë dita e dytë e seancës gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Sot do të vazhdojë gjykimi me deklaratat hyrëse të avokatëve të të akuzuarve.

Prokuroria pati dje pesë orë kohë që ta paraqes deklaratën hyrëse. Në të, pati shumë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Bazuar në kalendarin e Dhomave të Specializuara, seancat në rastin “Thaçi e të tjerët” do të vazhdojnë edhe me 5 prill, pastaj me 11, 12, 13 dhe 17, 18, 19 e 20 prill.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.

Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.

Të katërt, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm./albeu.com/