Këngëtarja shqiptare bën akuzat e forta për Festivalin e RTSH: Çfarë më bënë në prapaskenë që të performoja sa më keq

Festina Mejzini është një emër i njohur për publikun. Këngëtarja spikati me pjesëmarrjen në “X Factor” në 2012, ku arriti që të renditej në vendin e katërt. Ajo dha një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, ku foli për fillimet e saj. Festina tregoi se kishte qenë mësuesja suedeze që kishte zbuluar talentin e saj.

“Talentin e zbuloi mësuesja ime në Suedi. Një histori që me e shkruar një libër bëhet best seller. Kam qenë 13 vjec dhe ndodhi shumë rastësisht. Isha në parkun e shkollës, duke kënduar një këngë shqip dhe mu afrua mësuesja dhe më tha se e ke zërin shumë të bukur. Nuk është se më kishte spikatur në Kosovë.

Si fëmijë, mu duk absurde kur ma thanë në fillim. Pastaj rrjedhën gjërat dhe erdh në Shqipëri në X Factor në 2012, ndryshuan gjërat.”, tha ajo. Festina rrëfeu gjatë bisedës me moderatorin Alban Musa se dhe gjyshi i saj ishte marrë me muzikë por askush nuk e kishte spikatur talentin e saj deri 13 vjeç.

Mes të tjerash, ajo foli për eksperiencën në “X Factor”, duke e përshkruar si një “shkollë më vete”, e cila i hapi shumë dyer. Duke folur për pjesëmarrjen në festivale, ajo rrëfeu një episod në festivalin e RTSH-së, të ndodhur disa vite më parë, teksa tha se kishin tentuar ta sabotojnë.

“Ka qenë në vitin 2015. Te festivali i RTSH-së janë disa gjëra që bëhen në prapaskena, me mikrofonin, teknikën vetëm për të nxjerrë këngëtarin në mënyrën më të dobët të mundshme. Ka dhe kështu gjërash që shumica nuk i dinë. Por ka ndodhur disa vite më parë por prapë se prapë kam dalë mirë“, tha ajo.