Agjentët sekretë të SHISH në Britani shitën informacione te grupi kriminal, shkaktuan vrasjen e kreut të bandës rivale në Shqipëri (EMRAT)

Daily Mail ka zbuluar se agjentët shqiptarë të shërbimit secret informativ, të financuar nga Britania e Madhe, u kanë shitur informacione një grupi kriminal.

Informacioni i siguruar nga grupi kriminal u përdor për të eleminuar kundërshtarin e tyre pas një grindjeje midis bosëve rivalë të drogës në vendin ballkanik, ka zbukuar një hetim i Mail.

Gjithashtu u bë e ditur se dy agjentë të ekipit “Merlin” kanë shitur informacion të klasifikuar te rrjetet kriminale që synonin të godisnin.

Zbulimet tronditëse vijnë pasi kryeministri Rishi Sunak muajin e kaluar u zotua të shpenzojë më shumë për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe krimin e organizuar nga Shqipëria.

Merlin u krijua brenda shërbimit sekret të Shqipërisë, i njohur si Shish, në vitin 2000 kur bandat nga vendi filluan të vepronin për herë të parë në Britaninë e Madhe.

Që në fillim ajo mori pjesën më të madhe të financimit të saj nga taksapaguesit britanikë.

Agjentët e saj u trajnuan nga Britania e Madhe dhe aktiviteti i departamentit monitorohet nga një oficer kontakti me bazë në ambasadën britanike në Tiranë.

Merlin ishte aq i fshehtë, saqë edhe ekzistenca e tij mbeti e paraportuar për 16 vjet deri në vrasjen e Denis Kasajt, anëtar i klanit Kastrati, i cili u qëllua në një Mercedes nga breshria e plumbave të automatikut çek Skorpion.

Denis Kasaj

Vrasësi me pagesë Ilir Memushaj u dënua me 14 vjet burg në vitin 2017 për vrasjen për të cilën detektivët zbuluan se ishte kryer me kërkesë të një klani rival kriminal, Binjaku, si pjesë e një grindjeje të gjatë mes familjeve.

Të dy klanet kanë krijuar rrjete të mëdha droge në të gjithë Evropën, duke përfshirë Britaninë e Madhe.

Telefoni Blackberry i personit të armatosur kishte 12 fotografi të thirrjeve telefonike të transkriptuara të shënuara ‘sekret’ të marra nga një agjent i Merlin përmes operacioneve të përgjimit.

Makina e arratisjes e djegur pas vrasjes së anëtarit të klanit Kastrati, Denis Kasaj

Gjatë këtyre telefonatave, anëtarët e grupit kriminal zbuluan detaje të Mercedesit, pasagjerëve të tij dhe saktësisht se ku do të ishte në momentin e të shtënave.

Një agjent i Merlinit në terren më vonë doli në gjyq i akuzuar se ishte agjent i dyfishtë dhe se u shiste sekrete shtetërore kriminelëve.

Ai u lirua pasi gjykatësi vendosi se nuk mund të provohej se ai kishte nxjerrë informacionin e inteligjencës pasi agjentë të tjerë të Merlin kishin akses në të njëjtin informacion.

Por gjykatësi zbuloi se informacioni i marrë nga klani Binjkau kishte ardhur nga një agjent në shërbim të Merlin.

Në aktakuzë thuhej: “Është vërtetuar se të dhënat e marra nga pajisja Blackberry janë të njëjta me ato të përpiluara nga organet e ndjekjes penale për transkriptimin e bisedave telefonike që rezultojnë nga përgjimet”.

Mitralozi çek Skorpion i përdorur në vrasjen e Denis Kasajt

I pandehuri, i cili punonte për SHISH, përmendi dy agjentë të tjerë që punonin për Merlin, por që në atë kohë janë zhvendosur ose pushuar nga puna për shkak të dyshimeve se ata kishin nxjerrë informacione.

“Informacionet nga departamenti i tyre u shiteshin kriminelëve, përgjimet e paligjshme telefonike u bënë pa miratimin e prokurorëve, me informacionin e marrë në USB flash drives ose si foto,” tha ai.

“Mendoj se informacionet ende rrjedhin. Nëse kjo nuk do të ndodhte, ne mund të shihnim më shumë organizata kriminale të shpërbëra dhe më shumë pasuri të sekuestruara.”

Ai tha se puna për Merlin është një ‘punë ëndrrash’ për agjentët shqiptarë për shkak të aksesit të saj të pakrahasueshëm në informacion dhe financimit dhe mbështetjes së gjerë të ofruar nga Mbretëria e Bashkuar.

“Ka një pagë të mirë në krahasim me departamentet e tjera dhe makinat e reja, duke përfshirë Audit, të cilat u zgjodhën nga kreu i Merlin, me faturat e paguara nga ambasada britanike.”

Agjencia ka një drejtor dhe katër inspektorë që punojnë me agjentë të tjerë të SHISH kur kanë nevojë për mbështetje për një hetim.

Një tjetër ish-oficer i SHISH zbuloi: “Merlin ka qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.

Në një rast kur drejtori i SHISH donte të zëvendësonte drejtorin e Merlinit, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar erdhi disa herë në selinë e SHISH duke kundërshtuar vendimin dhe ai nuk u zëvendësua.”
Ai theksoi se oficerët e tjerë të Merlin ishin punëtorë dhe të ndershëm dhe kishin kryer operacione të suksesshme veçanërisht kundër trafikut të drogës./Albeu.com/


Shtuar 11.03.2023 17:41