Arrestimi i gardistit me armë pa leje, Balla: Policia e Shtetit do të godasë të gjithë shkelësit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar në lidhje me arrestimin e gardistit të kapur sot pa armë pa leje në automjet, Kristian Gjini.

Balla tha se kjo sjellje e tij është karshillik ndaj ligjit dhe për këtë arsye është përjashtuar nga radhët e Gardës, ku thekson se shkelësit do të dënohen nga Policia e Shtetit.

“Armëmbajtja pa leje po goditet çdo ditë. Do të bëjmë gjithçka, me më shumë angazhim sesa më parë, që ky karshillëk i hapur ndaj ligjit dhe shoqërisë sonë të luftohet nga Policia e Shtetit me vendosmëri, çdo ditë. Në të gjithë territorin e vendit, Policia e Shtetit po organizon dhe realizon goditje të përditshme ndaj këtij fenomeni. Ndalimi gjatë natës së mbrëmshme i një oficeri të Gardës së Republikës, për armëmbajtje pa leje, tashmë i arrestuar dhe i përjashtuar menjëherë nga radhët e Gardës, konfirmon qartë angazhimin se në rrjetën e forcës së ligjit do të bien të gjithë shkelësit.

Gjithashtu gjatë operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje Policia e Shtetit ka arritur të parandalojë në kohën e duhur një ngjarje të rëndë kriminale. Jam i sigurtë se kam mbështetjen e qytetarëve në goditjen e këtij fenomeni, por kërkoj gjithashtu edhe mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, të dashur qytetarë, përgjatë kontrolleve të policisë, të cilat do të jenë të shpeshta”, shkruan ministri Balla.


Shtuar 9.08.2023 13:53