Atentatet e bujshme të Elbasanit, “zbërthehet” Erion Alibej

37-vjeçari nga Elbasani, Erjon Alibej alias Andrea Dylgjeri së fundi ka hyrë në listën e dëshmitarëve të mbrojtur të SPAK, duke ofruar si këmbim, dëshminë e tij për tregimin e krimeve që ka dijeni.

Ai është bërë i penduari i pesë i drejtësisë pas Klevis Allës, Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhës dhe Euglent Halilit.

Alibej u prangos nga policia në 19 Shtator 2020 teksa ndodhej në masën e “arrestit në shtëpi” për plagosjen dhe kanosje me armë ndaj Xhon Rustës, ngjarje kjo e ndodhur në 2018 në Elbasan.

Prej kësaj date ai po mbahej i izoluar në burgun 313 në Tiranë si person i dyshuar i vrasjes së Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanit (Ilit të Elbasanit).

Por për më shumë se dy vite, Erjon Alibej që njihet me nofkëm “Krymi”, nuk pranoi autorësinë e vrasjes së dy personave, duke pretenduar se i penduari i prokurorisë, Euglen Halili, pjesëmarës në dy vrasjet gënjente në dëshminë e tij dhënë para prokurorëve.

Me kapjen e Nuredin Dumanit, në fund të muajit Mars 2022 në Fier dhe realizimin e operacionit “Plumbi i artë” në 18 Maj 2022, akuza të reja u shtuan për Erjon Alibej.

Pasi njeriu me të cilin ai kishte ndarë shumë biseda dhe plane vrasjesh, ishte penduar duke kaluar në krah të prokurorëve të SPAK.

Pas dy vite e gjysëm në qeli dhe teksa SPAK, e mori të pandehur për vrasjen e Regis Runaj dhe Emiljano Ramazanit, në Tetorin e vitit të kaluar SPAK tërhoqi dosjen kundër Alibej, pasi ky i fundit kishte pranuar të fliste në prokurori.

Arkitekti dhe sponsorizuesi i 7 vrasjeve në Elbasan, Durrës dhe Peqin pranoi të flasë në këmbim të dhënies së statusit të bashkëpuntorit, dënimit të ulët për krimet e rënda dhe rifitimit shpejt të lirisë, shkruan Ora News.

Veç 7 vrasjeve të realizuara, Alibej ka qënë arkitekti i planit për të kryer vrasjen e Altin Ndocit, Kel Kamamit, Talo Çelës, vëllezërve Çopja.

Këto 4 tentativa dështuan, për shkak të pamundësisë për të kapur në kohë dhe në vendin e duhur objektivin.

Sipas të penduarit të SPAK, Nuredin Dumani, me Erion Alibej ai është takuar në shtëpinë e tij në katin e 6 të një pallati në Elbasan. Takimi me të ishte realizuar vetëm pasi Dumani kishte zhvilluar natën, një takim për rreth 1 orë në ambjentet e një ullishte me Arjan Spahinë.

Në këtë takim, Dumani ka bindur Arjan Spahinë se nuk kishte marë pjesë në vrasjen e Enea Alibejt, një shtetasi turk, dhe dajës së Alibejt.
“…unë në takim i thashë Arjanit, se kush e kishte bërë porosinë dhe kush e kishte kryer ekzekutimin e trefishtë në Bradashesh, vrasjen e vëllezërve Baho në Peqin dhe vrasjen e Andi Zylyfit…” – shprehet Dumani.

Teksa Spahiu është bindur në sinqeritetit e Dumanit se nuk kishte marë pjesë në vrasje, ai i ka kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim, për eliminimin e personave që kishin marrë pjesë në ngjarjen, ndaj Enea Alibejt ose siç thirrej ndryshe në Elbasan me nofkën “Tarzani”.

Sipas porosisë së Spahisë dhënë Nuredin Dumanit, personat si Talo Çela, Altin Ndoci, Besmir Haxhia, Dorjan Shkoza, Kel Kamami ose “Keli i Kiçit” dhe vëllezërit Çopja, duhet të eleminoheshin kundrejt pagesës nga grupi i Nuredin Dumanit.

Erjon Alibej së bashku me Arjan Spahinë zgjidhnin se kush do vdiste dhe caktonin fondin financiar për Nuredin Dumanin, dhe më pas ky i fundit vijonte me ekzekutimet në terren.

Alibej ka urdhëruar dhe financuar vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, gjatë muajit Prill 2020.

Më tej sipas Dumanit, Alibej ka vijuar me përzgjedhjen dhe financimin e vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.

Etja për hakmarje e Alibej, ka vijuar me përzgjedhjen dhe financimin e vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.

Përzgjedhjen dhe financimin e dy vrasjeve të tjera në Elbasan, Regis Runaj dhe Emiliano Ramazanit.

Financimin e shkatërimit me eksploziv të shtëpisë së Talo Çelës. Të gjitha këtë janë krime të projektuara dhe financuara nga Erjon Alibej, pa haruar dhe 4 atentat e dështuara ndaj Talo Çelës, Altin Ndocit, Kel Kamamit dhe vëllezërve Çopja.

Me 7 vrasje në shpinë dhe 4 planifikime të dështuara, Erjon Alibej është kthyer në dëshmitarin kryesor të SPAK, me shpresën se do rifitojë shpejt lirinë nga burgu.

Është e dhimbshme të mendosh se arkitekti dhe sponsori i vrasjeve të përfitojë uljen e dënimit, por një gjë të tillë ja parashikon ligji penal, nëse dëshmia e tij cilësohet e vlefshme në gjykatë.

Mbi bazën e dëshmisë së Erjon Alibej, Skerdi Tasit dhe Nuredin Dumanit, pritet që SPAK të organizojë një valë të dytë arrestimesh në Tiranë, Fier, Elbasan.