U “kafshua” nga “Piranjat”, lihet në arrest shtëpie 41-vjeçarja që prezantohej si dietologe në Tiranë

Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë arrest në shtëpi për dietologen e arrestuar 3 ditë më parë, Silvana Balliu.

Gjatë seancën, 41-vjeçarja nuk ka dhënë asnjë sqarim për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Ndërsa avokati mbrojtës, Jordan Daci kundërshtoi pretendimet e prokurorisë se klientja e tij është e dyshuar për mashtrim.

Silvana Balliu u arrestua më 13 tetor në kuadër të operacionit “Dietologia”.

41-vjeçarja administronte një subjekt në zonën e Brrylit, të cilin nuk e kishte të regjistruar pranë organeve përkatëse dhe fshihte të ardhurat e fituara prej tij.

Në bazë të verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasja Silvana prezantohej si dietologe dhe me anë të mashtrimit përfitonte shuma të ndryshme parash, nga 150-300 euro, nga qytetarë të ndryshëm, për përgatitjen e dietave të personalizuara.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, kjo shtetase ka fshirë nga telefoni i saj, bisedat me qytetarët (klientët), me qëllim për të penguar zbulimin e së vërtetës.

Nga investigimi i “Piranjave” në ABC rezultoi se nuk ka laborator të certifikuar që kryen analizën e intolerancës ushqimorë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.