Situata nga përmbytjet, Berisha akuza qeverisë: Nuk ka funksionuar asgjë, vetëm Facebook-u i Edi Ramës

Sali Berisha e ka quajtur të papërgjegjshëm qëndrimin e qeverisë në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq në vend. Në një konferencë për mediet, Berisha theksoi se Shqipëria është braktisur dhe fatkeqësia nuk ishte moti, por qeveria, kryeministri së bashku me ministrat.

“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe, qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë, e cila sillet sot si një organizatë e papërgjegjshme dhe ka lënë Shqipërinë një vend tërësisht të braktisur. Nga jugu në veri, rrugë të bllokuara, jetë të humbura, për shkak të infrastrukturës mesjetare, shembje masive për shkak të vjedhjes së fondeve në skarpate, rrënime të investimeve të bëra dhe dy vjet më parë.
Shqipëria nuk pati një mot të madh dhe nuk ishte moti i madh, fatkeqësia e saj. Fatkeqësia e vërtetë e Shqipërisë në këtë mot ishte Edi Rama dhe ministrat e tij hajdutë dhe të papërgjegjshëm për detyrën që kryejnë. U zhdukën, përveç Facebook-ut të Edi Ramës, nuk ka funksionuar asgjë”, tha kreu i PD Sali Berisha.

Ai shprehu solidaritet të plotë me zonat e dëmtuara dhe banorët e Shkodrës./Albeu.com/


Shtuar 23.01.2023 12:33