Benitez ka ringjallur Evertonin

Ndërsa Evertoni po kompletonte fitoren e fundit në Premier League, me siguri se trajneri Rafael Benitez e kishte parasysh se treshja e tij sulmuese në fushë kushtonte gjithsej rreth dy milionë euro.

Premier League edhe këtë verë e tregoi fuqinë përballë ligave të tjera – klubet elitare të Anglisë shpenzuan rreth 1.5 miliardë euro gjatë afatit kalimtar të verës – megjithatë te skuadra e Evertonit pati një përmbysje të qasjes ekstravagante në krahasim me vitet e shkuara.

Benitez iu bashkua klubit në muajin qershor në një kohë protestash nga disa tifozë për shkak të lidhjeve të tij të forta në të kaluarën me Liverpoolin – rivali lokal i Evertonit – por edhe për “shtrëngim të rripit” sa i përket uljes së shpenzimeve, gjë që nuk ishte parë në klub në pesë vjetët e fundit me aksionarin Farhad Moshiri.

Duke pasur parasysh këto rrethana, askush nuk ka pritur që gjërat të shkojnë kaq mirë për Evertonin këtë edicion. Pas katër xhirove në Premier League asnjë ekip nuk ka më shumë pikë se Evertoni, dhjetë. Nga dhjetë pikë i kanë edhe Manchester Unitedi, Chelsea e Liverpooli. Krahas startit të mirë në kampionat, Evertoni ka startuar me fitore edhe në League Cup dhe e gjithë kjo falë ndryshimeve të papritura taktike të Benitezit. Ndjenjat kundër Benitezit në mesin e disa tifozëve të Evertonit mund të mos zhduken kurrë, por për momentin trajneri spanjoll po i hesht të gjithë me punën e tij.

Një fitore në udhëtim ndaj Aston Villas të shtunën mund ta lërë Evertonin të vetëm në krye të klasifikimit, edhe pse vetëm për një natë. Edhe kritikët më të mëdhenj të Benitezit kanë filluar të pranojnë përparimin e bërë nga spanjolli që nga kthimi i tij në futbollin anglez. Dy nga tri fitoret e Evertonit në ligë erdhën pas disavantazhit dhe të dyja ndeshjet përfunduan me rezultatin 3:1, kundër Southamptonit dhe së fundmi Burnleyt të hënën, për të nxjerrë në pah qëndrueshmërinë mendore që Benitez tashmë ka futur në ekip e të cilën nuk e kishin trajnerët e mëparshëm.

Nëse nuk do të kishte një barazim të vonshëm ndaj Leeds Unitedit (2:2), Evertoni do të ishte ekipi i vetëm me pikë maksimale pas katër javëve të luajtura në elitën e futbollit anglez.

“Ka qenë shumë afër përsosmërisë”, tha Benitez të enjten. “Mirëpo nuk bën të ankohemi, sepse mendoj që kemi pasur një start të mirë, që ndoshta nuk e ka pritur askush”.

E gjithë kjo bëhet me një buxhet të vogël. Ndërsa katër trajnerët e tjerë të Evertonit të punësuar në mbretërimin e Moshirit – Ronald Koeman, Sam Allardyce, Marco Silva dhe Carlo Ancelotti – shpenzuan një shumë marramendëse prej 750 milionë eurosh për lojtarë, Benitezit iu tha kur mbërriti se fonde të ngjashme thjesht nuk ishin në dispozicion për shkak të efekteve të pandemisë dhe ndërtimit të vazhdueshëm të stadiumit të ri të klubit nga bregdeti i Liverpoolit, i cili kushton rreth 700 milionë euro dhe shpresohet të përfundojë deri në fillimin e sezonit 2024/25. Kjo do të thoshte pazare të ulëta në afatin e fundit kalimtar. Evertoni mori katër lojtarë falas, sulmuesin e krahut Andros Townsend, sulmuesin Salomon Rondon dhe dy portierë rezervë. Një tjetër sulmues të krahut, Demarai Grayn e mori për dy milionë euro.

Gray dhe Townsend kanë qenë zbulime deri më tani, me të dy që shënuan në fitoren ndaj Burnleyt dhe duke qenë anëtarët kryesorë të një ndryshimi taktik që ka parë një qasje më të drejtpërdrejtë në një përpjekje për të bërë më shumë harkime në sulmuesin Dominic Calvert-Lewin, i cili në ajër është ndër lojtarët më të mirë të ligës.

Me Calvert-Lewinin që humbi ndeshjen me Burnleyn shkaku i lëndimit dhe sulmuesi i Brazilit, Richarlison, që u zëvendësua, Evertoni shkoi deri në fund të duelit me Grayn dhe Townsendin nga të dy krahët, kurse në qendër të sulmit ishte Rondon, i cili debutoi.

Pas një fundjave që sulmuesit Cristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku luajtën për Manchester Unitedin dhe Chelsean, respektivisht – duke shënuar nga dy herë secili – opsionet e sulmit të Evertonit dukeshin të zbehta në krahasim me ekipet e tjera. Por, siç bën shpesh, Benitez po merr maksimumin nga ajo që ka në dispozicion dhe ka bërë disa ndryshime taktike në lojë, duke preferuar sistemin 4-3-3 gjatë ndeshjes me Burnleyn, që nxori në pah lojën e tij. Ai ende mund të jetë në gjendje të tërheqë tifozët e Evertonit nëse vazhdon me këtë lojë dhe këto rezultate.

“Në fillim ishte e diskutueshme, por unë mendoj se tifozët e vlerësojnë që ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën, unë, lojtarët dhe stafi”, tha Benitez.

Për Benitezin, të gjithë tifozët e Evertonit duan të kenë “një ekip që jep gjithçka”.

“Ata mund ta shohin këtë në çdo ndeshje. Lojtarët që ishin vitin e kaluar ndoshta nuk po performonin në nivel dhe tani ata po japin gjithçka dhe tifozët e vlerësojnë këtë”, insistoi Benitezi.

Nuk është aspak për t’u habitur që kolumbiani James Rodriguez, një lojtar i talentuar, niveli i punës dhe qëndrimi i të cilit ndonjëherë vihet në dyshim, nuk ka luajtur ende asnjë minutë nën urdhrat e Benitezit. As fakti që Abdoulaye Doucoure, një mesfushor gjigant identik me Yaya Touren, ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Evertonit deri më tani, duke luajtur rregullisht dhe duke asistuar e shënuar gola.


Shtuar 17.09.2021 09:59