Largimi i Reinas, Milani zyrtarizon portierin e ri

Pepe Reina është zyrtarizuar sot si portier i Aston Villas në formë huazimi kurse Asmir Begovic do ta zëvendësojë atë në Milan pasi që u transferua nga Bournemouth

Portieri spanjoll 37 vjeçar ka kryer testet mjekësore sot dhe ishte në tribuna gjatë humbjes se thellë të Aston Villas prej 6-1 kundër Manchester City në vikend.

Reina ka nënshkruar kontratë gjashtë mujore huazimi me Aston Villa pasi që kontrata e tij me Milan skadon në qershorin e vitit 2021.

Ai kishte kaluar në Milan si lojtar i lirë nga Napoli në verën e vitit 2018, pas paraqitjeve të tij në skuadrat si Villarreal, Liverpool dhe Bayern Munich.

“Ne arritëm që të sigurojmë Pepen i cili ka një përvojë të gjatë në Premier Ligë”, ka shkruar menaxheri i Villas, Dean Smith në faqen zyrtare të klubit.

Milan në të njëjtën kohë ka lajmëruar edhe zëvendësimin e Reinas që është Begovic, i cili kishte testet mjekësore dje.

Boshnjaku po ashtu është huazuar për gjashtë muaj nga Bournemouth dhe vije në Milan pas huazimit të tij në Qarabag.


Shtuar 14.01.2020 07:30