SHBA shpall non-grata pronarin e Spitalit “Sistina” në Shkup

Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar të mërkurën Jordan “Orce” Kamçevin nga Maqedonia e Veriut, me arsyetimin se e ka abuzuar pozitën që e ka pasur.

Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja, brenda Departamentit amerikan të Thesarit, Kamçev “është përfshirë në aktivitete korruptive dhe e ka çuar përpara një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”.

Në njoftimin e lëshuar nga autoritetet amerikane, përmendet se Kamçev është shpallur fajtor në rastin “Parcelat e Vodnos”, sepse është përfshirë në një skemë për pastrim parash, të lidhur me blerje të paligjshme të tokës për ndërtim.

“Në një rast tjetër, Kamçev është deklaruar fajtor për shpërdorim të detyrës në rastin ‘Perandoria’, në të cilin ai është dyshuar për mashtrim, pastrim parash dhe krime tjera të lidhura me bizneset e tij”.

Në janar të vitit 2022, Kamçev është liruar nga paraburgimi me një garanci bankare prej 11 milionë eurosh.

Sipas njoftimit, Kamçev e ka përdorur ndikimin e tij dhe pasurinë për ta manipuluar sistemin e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, në të mirë të tij.

“Më 2020, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale është akuzuar se ka pranuar ryshfet nga Kamçevi dhe ka dëshmuar se Kamçev ka paguar para në këmbim të kushteve të favorshme të arrestimit dhe rrjedhës së rastit. Kamçev më vonë e ka hapur një rast civil kundër kryeprokurorit dhe të tjerëve, duke pretenduar se ata e kanë zhvatur. Një gjykatë civile në Shkup ka marrë vendim që Kamçevi nuk ka qenë viktimë dhe se nuk i takon dëmshpërblimi”.

Ai është bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera.

Sanksionet nënkuptojnë bllokimin e të gjitha pronave të tij në tokën amerikane si dhe Kamçevit i ndalohet të bëjë biznes me subjekte amerikane./ REL