“Të bardhë” e para të “papastra”, si ra në kurthin e karabinierëve ish-policja shqiptare (VIDEO)

Një ish-efektive e policisë shqiptare u arrestua nga autoritetet italiane pasi u kap së bashku me një shqiptar tjetër, me 38 gramë kokainë dhe tashmë ndodhet në masë sigurimi personal “detyrim paraqitje” vendosur nga gjykata.

Filloreta Zanaj 29-vjeçare, sipas një reagimi zyrtar të Policisë së Shtetit shqiptar, nuk është më pjesë e uniformave blu që prej vitit 2017. “Ajo ka qenë efektive në Policinë e Vlorës dhe në vitin 2017 është larguar nga Policia e Shtetit pasi nuk fitoi të drejtën për t’u pajisur me certifikatë sigurie”, njofton zyrtarisht policia.

“Policia e Shtetit ka shkëmbyer informacion në kohë reale me homologët e Karabinierisë në Milano, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Bari për rastin në fjalë. Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët me qëllim evidentimin dhe goditjen e elementëve kriminal që ushtrojnë veprimtari kriminale”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Sipas mediave italiane, 29-vjeçarja, Filloreta Zanaj, është rezidente në Itali, në komunën Garbagnate në provincën e Milanos. Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se fillimisht ish-efektivja është ndaluar nga karabinierët për kontroll dokumentesh, por disa lëvizje të dyshimta të saj kanë bërë që asaj t’i ushtrohet një kontroll më imtësishëm i automjetit ‘Renault Clio’ ku ajo udhëtonte. Gjithashtu mësohet se në momentin e ndalimit ka qenë nën shoqërinë edhe të një personi tjetër, një 29-vjeçar me vendbanim në Arese.

Përballë pyetjeve të karabinierëve, dy shqiptarët fillimisht u përgjigjën normalisht, por qëndrimi i tyre i dyshimtë dhe i kujdesshëm i shtyu karabinierët që të kontrollonin dokumentet e tyre dhe makinën, duke zbuluar kokainën e fshehur, 38 gram e ndarë në 76 doza të mbështjella me letër alumini si dhe 1.430 euro, të konsideruara nga hetuesit si të ardhura nga veprimtaria e paligjshme e shitjes së drogës. Droga dhe shuma e konsiderueshme e eurove mbaheshin në një qese të fshehur në një ndarje në kroskotin e automjetit.

Dy të arrestuarit u dërguan në stacionin e policisë, ku kaluan natën në dhomat e sigurisë. Më pas ata u gjykuan nga një gjykatë në Milano e cila vendosi që 29-vjeçari të qëndronte në arrest shtëpie kurse inspektorja e policisë iu nënshtrua detyrimit për paraqitje në policinë gjyqësore.


Shtuar 2.02.2020 12:22