Një arkë peshk dhe para për një vend pune, Apeli lë në fuqi dënimin me burg për ish zv. ministren

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burg për ish zv. Ministren, Rovena Voda, duke konfirmuar kështu dënimin me 10 muaj burgim.

Voda u dënua me 1 vit e 3 muaj burg pasi ndikoi për të punësuar një person në administratë por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ish-zv.ministrja vuajti dënimin me 10 muaj në qeli. Ajo kishte kërkuar përmes avokatëve të saj që të pushohen hetimet me pretendimin se nuk ka bërë vepër penale.

Nga hetimet e SPAK, rezultoi se Voda kishte marrë 1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk për të punësuar Florida Beun në ministri. Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zv.ministren, duke shfrytëzuar edhe lidhjen shoqërore që ka pasur me të.

SPAK kërkoi dënimin me 1 vit e 6muaj burg për ish-zv.ministren e Brendshme, Rovena Voda dhe nga 15 muaj për Florida Beun dhe Majlinda Hasanin.

Sipas SPAK, Voda ka kryer veprën penale të ushtrimit të ndikimit për të favorizuar e punësuar në shtet Florida Beun nëpërmjet lidhjeve që kishte me avokaten Majlinda Hasani. Rovena Voda ra në ‘rrjetën’ e SPAK nga përgjimet që kishin për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi, i cili u arrestua në Kavajë nën akuzën e korrupsionit. /Albeu.com.