Presidenti i Estonisë: Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në integrimin europian

Presidenti i Estonisë Alar Karis ka zhvilluar një vizitë në vendin tonë, duke u bërë i pari president estonez që vjen në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me presidentin Bajram Begaj, ai është shprehur se ajo që është me rëndësi të theksohet është rrugëtimi i Shqipërisë dhe i të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.

“Bota përreth ka ndryshuar dhe është në ndryshim. Vendi juaj ka arritur shumë dhe ka marrë hapa të rëndësishëm në integrimin evropian. Qoftë në rrugën e drejtësisë ose në politikën e BE-së. Ju nxis që të vijoni në këtë rrugëtim, dhe theksoj se Estonia është një mbështetëse e madhe për integrimin e Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është e gatshme që të ndajë reformat kryesore. Reformat janë kryesore për zhvillimin e vendit, integrimi në BE i jep mundësi për zhvillim rajonal brenda vendit.

Kjo do të ndihmojë që të ndalë dhe të kthejë tharjen e trurit tek të rinjtë, edhe ne në estoni kemi pasur të njëjtin problem, përpos luftës në Ukrainë procesi i zgjerimit është rritur edhe më tej, por në bazë qëndrojnë kriteret shtetërore”, ka thënë presidenti i Estonisë.

Ndër të tjera ai ka theksuar se në këtë takim me Begaj, ka diskutuar edhe në lidhje me agresionin rus në Ukrainë, ku sipas tij është e rëndësishme që të rritet akoma më shumë vëmendja e ndërkombëtarëve në këtë vend.


Shtuar 7.06.2023 17:11