“E bardha” nga Ekuadori mes banave në Durrës, reagon kompania: Grupet kriminale po përdorin linjën, ne s’kemi asnjë përgjegjësi

Një operacion në portin e Durrësit, është zbuluar një sasi e konsiderueshme droge që vinte nga Amerika Latine. Kokaina, 33.5 kg e ndarë në 31 doza dhe e fshehur në bananet që vinin për llogari të BanaKing është sekuestruar.

Përfaqësuesit e kompanisë pritëse të bananeve kane mohuar të jenë të përfshirë në trafikimin e kokainës që u zbulua mbrëmë në Portin e Durrësit.

Ata kanë deklaruar para agjentëve të Antidrogës se s’kanë asnjë lidhje me lëndën narkotike dhe s’kanë pasur dijeni për praninë e saj në arkat me banane.

” Nuk kemi asnjë përgjegjësi pasi neve si kompani porosinë e bëjmë në rrugë elektronike dhe s’jemi fizikisht në Ekuador. Nga ta dimë neve se çfarë kanë arkat brenda?! Mund ta linit ngarkesën të mbërrinte në magazinat tona dhe nëse neve zbulonim se kishte kokainë dhe se raportonim atëherë kjo përbënte shkelje ligjore. Ne presim banane, se çfarë ka kontejneri brenda nuk kemi se si ta dimë. Grupet kriminale e përdorin linjën pa dijeninë tonë. Ky është një problem për ne sepse na shkatërron biznesin. Ne jemi të pafajshëm pasi s’kemi asnjë dijeni për lëndën narkotike“, kanë deklaruar ndër të tjera përfaqësuesit e kompanisë pritëse të bananeve me seli në Tiranë.

Policia shoqëroi mbrëmë 3 përfaqësues të kompanisë, si dhe skuadrën e monitorimit të skanerit. Pasi qeni antidrogë zbuloi 33 kg kokainë në kontejnerin që kishte mbërritur tre ditë më parë në Durrës nga Ekuadori. Çuditërisht nga skaneri kontejneri kishte dalë i pastër.


Shtuar 4.11.2022 08:55