“Unë në jetën time nuk kam hequr as vetullat”, Nora Malaj tregon këndvështrimin e saj mbi ndërhyrjet plastike

Nora Malaj, pedagogia dhe politikania e njohur, ndau në “Aldo Morning Show” në Tv Klan këndvështrimin e saj mbi ndërhyrjet plastike te të rinjtë. Malaj thotë se është edhe një trend i kohës, por kur masa e kalon sasinë, atëherë kthehet në të kundërtën duke krijuar problematika. Në aspektin personal, politikania tregon se nuk ka ndërhyrje, por ka pasur një problem i cili mund ta shtynte të bënte diçka në pamjen e saj.

Nora Malaj: Unë në jetën time nuk kam hequr as vetullat, as veshët nuk i kam të shpuara. Nuk kam bërë asgjë.

Albana Çaushajj: Nëse do të bëje, nëse do ta mendoje një ditë nj gjë, çfarë do të ndryshoje ose do t’i jepje pak më shumë volum?

Nora Malaj: E vetmja gjë që pas Covid-it ka qenë problem ka qenë problemi i flokëve dhe pas disa situatave jo të mira të sëmundjes. Mendoj që floku është element shumë sensitiv, por është edhe shumë estetik dhe te femra është edhe shumë sharmant. E vetmja gjë që do të bëja do të ishte nëse do ta rigjeneroja flokun. Por edhe kjo është pjesë e zgjidhur se nëse do ngelemi pa flokë, vëmë paruke dhe paruket janë nga më të ndryshmet, sot janë edhe shumë afër origjinales dhe nuk prishin.

Kjo nuk bëhet për estetikën tënde sepse ajo që është e rëndësishme është që njeriu duhet ta pranojë veten ashtu siç është që do të thotë, në momentin kur njeriu vendos ekuilibrin brenda vetes, atëherë ai është shumë mirë me gjithçka, edhe me atë që mund të quhet defekt. Sigurisht jam me çdo ndërhyrje për të rregulluar defektet, kur nuk janë të prerë për qëllim në vetvete.

Kur ndërhyrjet plastike fillojnë dhe kthehen në tendencë dhe tendenca kthehet në vrastare, kur masa e kalon sasinë, ajo krijon problematika shumë të mëdhaja në shoqëri. Kur shoh studente që vijnë ndihem shumë e trishtuar brenda vetes. Që vajza që nuk kanë nevojë për asgjë kanë tendencën që kanë ta bëjnë paraqitjen shumë më dominante se përmbajtjen. Natyra është rregullatori më i mirë i njeriut.