Mbi 13 mijë euro të fshehura nga kontrolli, e pëson keq rumuni në Qafë Thanë

Pasditen e sotme në doganën e Qafë Thanës janë sekuestruar 13 mijë e 350 euro të padeklaruara.

Sipas njoftimit zyrtar mësohet se strukturat e Degës Doganore Qafë Thanë dhe të Policisë Kufitare kanë ndaluar qytetarin rumun të cilit pas kontollit të detajuar fizik dhe me skaner iu gjet shuma e parave të padeklaruara në çantën e dorës.

Paratë janë sekuestruar ndërsa rumuni po merret në pyetje për të zbardhur burimin e parave.

Njoftimi i plotë:

Sekuestrohen 13 mijë euro të padeklaruara në Doganën e Qafë Thanës Në kuadër të forcimit të masave për parandalimin e lëvizjes së vlerave monetare nëpërmjet Pikave te Kalimit Kufitar, strukturat e Drejtorisë Antitrafik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare, kanë kryer kontrolle ‎ndaj udhëtarëve në hyrje/dalje të Pikave të Kalimit Kufitar të RSH, me qëllim parandalimin e trafiqeve dhe lëvizjes së vlerave monetare.

Gjatë kontrolleve të kryera nga strukturat e Grupeve Operacionale të Drejtorisë Antitrafik, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me strukturat Degës Doganore Qafë Thanë, dhe të Policisë Kufitare, u ‎ndalua shtetasi I.C. me shtetësi rumune, të cilit pas kontollit të detajuar fizik dhe me skaner, iu konstatua në çantën e dorës, vlera në valutë e padeklaruar prej 13.350 EUR. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në kuadër të forcimit të masave për parandalimin e trafiqeve, ka intesifikuar ‎kontrollet në pikat e kalimit kufitar, si dhe i bën me dije shtetasve të cilët kalojnë në P.K.K. të R.SH. për detyrimin ligjor (Ligji Nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terorrizmit”) për deklarimin e vlerave monetare, sendeve me vlere, apo metaleve dhe gurëve të çmuar, te cilat jane me vlere me te madhe se 10.000 EUR.

 

 

 


Shtuar 26.10.2021 16:34