Borrell: BE duhet të përshpejtojë furnizimet me municion për Ukrainën

Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë furnizimet me municion për Ukrainën, pasi forcave të këtij shteti iu duhen 1.000 fishekë artilerie çdo ditë vetëm në rajonin e Bahmutit, tha shefi i diplomacisë së bllokut evropian, Josep Borrell.

Borrell tha se ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, u ka thënë homologëve të tij të BE-së gjatë takimit në Stokholm se Kievi ka nevojë për më shumë mbështetje që të mbrojë veten kundër pushtimit të Rusisë.

Përreth qytetit lindor të Bahmutit, ku për muaj të tërë po zhvillohen luftime të ashpra, “Ukraina ka nevojë për rreth 1.000 fishekë artilerie çdo ditë”, tha Borrell më 13 maj, pas takimit të BE-së.

I pyetur se si mundet BE-ja të përshpejtojë furnizimet, Borrell tha se shtetet anëtare duhet të marrin municione nga depot e tyre dhe të tejkalojnë sfidat logjistike.

Në mars, ministrat e BE-së miratuan një plan në vlerë prej të paktën 2 miliardë eurosh për të furnizuar Ukrainën me 1 milion fishekë për artileri dhe raketa gjatë 12 muajve.

Plani parasheh që shtetet e BE-së të marrin municionet nga depot e tyre dhe bashkërisht të bëjnë blerje të reja.

Borrell tha se Ukraina në veçanti ka nevojë për municion për armë me rreze të gjatë veprimi “sepse rusët janë duke bombarduar nga distanca”.

“Ukrainasit duhet të kenë kapacitete që të sulmojnë në të njëjtën rreze veprimi”, tha ai.

Para takimit, Kuleba tha se municionet për armë me rreze të gjatë veprimi do të jenë në qendër të diskutimeve.

Ky takim u mbajt në ditën kur Gjermania njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh. Kjo do të jetë paketa më e madhe e ndihmës që Berlini do t’i japë Kievit, që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.


Shtuar 13.05.2023 14:49