Basha në EPP: Sundimi i ligjit, prioriteti ynë! PD është në krah të SHBA dhe BE për çështjen e Ukrainës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane, e cila i zhvilloi punimet online.

Krahas luftës kundër korrupsionit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, renditi si prioritete të PD-së, edhe reformën zgjedhore dhe atë territoriale.

Gjithashtu Basha theksoi se PD është në krahë të aleatëve të NATO-s në lidhje më konfliktin që po zhvillohet në Ukraine. Kryedemokrati theksoi gjithashtu se PD mbështet fuqishëm një zgjidhje diplomatike të negociuar nga SHBA dhe BE për tensionet në Lindje.

“Ne po fokusojmë të gjithë vëmendjen dhe energjinë tonë për të ecur përpara me reformat që do t’u mundësojnë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme e një administratë vendore pa konflikte politike. Reformat zgjedhore dhe territoriale, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritetet tona kryesore”, theksoi ndër te tjera kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

“Ne duhet të qëndrojmë krah për krah në aleancën tonë euroatlantike përballë kësaj sfide të rrezikshme jo vetëm për vetë Ukrainën, por edhe për Evropën e me gjerë”, theksoi Basha, ndërsa shtoi se:

“Lufta nuk duhet të jetë kurrë një opsion, ndaj mbetet detyrë e liderëve politikë të përdorin të gjitha mjetet diplomatike dhe të lënë mënjanë kërcënimet e luftës”, /albeu.com/


Shtuar 8.02.2022 10:15