Bashkëpunoi me Çilin? Kush është Seit Fishta, kandidati i PS për deputet në Shkodër

Së bashku me botuesin Henri Çili është arrestuar dhe ish-kryetari i Komunës së Velipojës, Seit Fishta, njëkohësisht biznesmen në fushën e ndërtimit.

Mësohet se Fishta hetohej në gjendje të lirë për 9 pallate, që po ndërtoheshin në mënyrë të paligjshme në Velipojë. Pavarësisht se u mor i pandehur për lejet e ndërtimit, Seit Fishta vazhdoi punimet në këto godina.

Ndërkohë vetëm pak orë më parë, prokuroria vendosi sekuestron e ndërtesave, ndërsa në mbrëmje urdhëroi ndalimin e biznesmenit, që ishte edhe kandidat për deputet i PS në Shkodër, në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Sipas informacioneve, arrestimi u krye me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës.

Investimet e biznesmenit Fishta:

Prokuroria e Shkodrës ka zhvilluar fillimisht hetime për ”shpërdorim detyre” ndaj anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT) të Komunës Velipojë, në bazë të të cilave u krijuan dyshime të arsyeshme se 9 zyrtarë, përfshirë edhe ish-kryetarin e komunës Velipojë, kishin dhënë në kundërshtim me ligjin disa leje ndërtimi në favor të ”Fishta” shpk.

Në bazë të atij hetimi, KRRT-ja e Komunës Velipojë i kishte dhënë ’Fishta” shpk., leje ndërtimi për ngritjen e disa godinave, pjesë e një kompleks turistik. Por, në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se këto leje ndërtimi ishin dhënë në zonën bregdetare, të cilat duhet të miratohen nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit (KKRRT).

Për këto shkelje, të gjithë ish-anëtarët e KRRT-së së Komunës Velipojë tashmë janë në proces gjyqësor, në të cilin akuzohen nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale të ”Shpërdorimit të detyrës”.

Gjatë veprimeve hetimore të zhvilluara ndaj ish-zyrtarëve të komunës, të cilët aktualisht janë të pandehur, Prokuroria e Shkodrës njoftoi zyrtarisht edhe administratorin e ”Fishta” shpk, shtetasin Seit Fishta, se leja që ai kishte marrë për ndërtimin e kompleksit turistik ishte e paligjshme dhe nuk mund të vijoheshin punimet e nisura për ngritjen e godinave.

Por, nga veprimet e kryera në terren, rezultoi se subjekti ”Fishta” shpk, pavarësisht se ishte në dijeni për parregullsitë në lejet e ndërtimit, ka vijuar punimet në këto godina.
Gjendur në këto kushte, si edhe për të ndërprerë vijimin e paligjshmërisë, Prokuroria e Shkodrës në kuadër të hetimeve që po zhvillon ndaj administratorit Seit Fishta për veprën penale të ”Ndërtimit të paligjshëm”, mori lejen nga gjykata për të vendosur sekuestron preventive për ndërtimet në zhvillim, si më poshtë:

– Dy pallate 6 kate mbi tokë
– Tre pallate në ndërtim, aktualisht në katin e katërt
– Tre pallate në ndërtim, aktualisht në katin e tretë
– Një pallat në ndërtim, aktualisht në katin e parë
Në bazë të lejeve të paligjshme të ndërtimit, godinat planifikoheshin që të ndërtoheshin deri në 6 kate.


Shtuar 28.02.2020 11:14